Interi pritet ta gjobisë Calhanoglun

  • S.A /
  • 23 June 2022 - 12:32
Interi pritet ta gjobisë Calhanoglun

Sipas raportimeve në Itali, Interi mund të gjobisë mesfushorin e tyre Hakan Calhanoglu pas intervistës së tij të fundit me Tivibu Spor në Turqi. Calhanoglu iu kundërpërgjigj Zlatan Ibrahimovicit dhe u shfaq duke kritikuar trajnerin e Interit, Simone Inzaghi, duke thënë se zëvendësimet e tij të gabuara gjatë derbit të fundit të Milanit në Serie A shkaktuan humbjen e Nerazzurrëve. Ai më vonë sqaroi, duke këmbëngulur se nuk e ka akuzuar asnjëherë trajnerin e tij. “Me sa duket, disa nga fjalët e mia u keqinterpretuan nga disa pjesë të medias,” tha ai.

“Kurrë nuk kam kritikuar asnjë trajner, e lëre më zotin Inzaghi, të cilin e konsideroj një trajner të madh dhe që më donte shumë te Interi, duke besuar tek unë. Nëse bashkëlojtarët e mi dhe unë patëm një sezon të mrekullueshëm dhe fituam dy trofe, shumë nga kjo varet nga ai”, tha mesfushori turk.

Calhanoglu gjithashtu reagoi ndaj Ibrahimovic, i cili e kishte tallur atë gjatë festimeve të titullit të Milanit në maj.

Suedezi kishte nxitur tifozët e Milanit që të fyenin ish-bashkëlojtarin e tij gjatë një parade të hapur me autobus, duke u thënë atyre t’i dërgonin një mesazh Hakanit.

Si kundërpërgjigje, ata kishin nisur të këndonin këngë të pakëndshme kundër nënës së mesfushorit turk.

Sipas Gazzetta dhe Alfredo Pedullà, Calhanoglu ka informuar Interin për intervistën, por klubit ende nuk i ka pëlqyer, kështu që mesfushori turk mund të gjobitet.

Calhanoglu iu bashkua Nerazzurrëve në një transferim të lirë nga Milani një vit më parë dhe shënoi shtatë gola dhe 13 asistime në 34 paraqitje në Serie A në sezonin 2021-2022. Kontrata e tij në Stadio Meazza skadon në qershor 2024. 

(Kosova Sot Online )