Kërkohet nga top klubet evropiane, por Nkunku rinovon kontratën me Leipzig ku do të ketë edhe një klauzolë largimi

  • S.A /
  • 23 June 2022 - 12:39
Kërkohet nga top klubet evropiane, por Nkunku rinovon kontratën me Leipzig ku do të ketë edhe një klauzolë largimi

Christopher Nkunku është njëri nga futbollistët më të mirë në Evropë, së paku me formën më të mirë edicionin e fundit.

Sulmuesi francez ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm me skuadrën gjermane RB Leipzig duke bërë gjithë gjigantët evropianë për vete.

Në 51 ndeshje zyrtare mes kampionatit, Kupës dhe garave evropiane, Nkunku ka realizuar 35 gola derisa ka asistuar në 20 të tjerë. Real Madrid, Bayern Munich, PSG, Barcelona, Juventus, Milan, Man Utd, Man City, Chelsea e Arsenal janë vënë pas francezit, derisa Leipzig po kërkon 100 milionë euro për ta lënë të lirë.

Por futbollisti francez ka rinovuar kontratën me RB Leipzig edhe për katër vite të tjera.

24-vjeçari ka pranuar vazhdimin e kontratës deri në vitin 2026 do të ketë pagë të dyfishuar pasi do të fitojë shtatë milionë euro në sezon. Përveç kësaj agjenti i lojtarit i ka vendosur një klauzolë largimi prej 60 milionë euro, kusht që është pranuar nga drejtuesit e klubit gjerman.

Leipzig ka zyrtarizuar marrëveshjen e re me Nkunkun, i cili nuk do të lëvizë nga Bundesliga së paku edhe për një edicion.

(Kosova Sot Online )