Ronaldo e merr goditjen e radhës

  • S.A /
  • 19 July 2022 - 13:57
Ronaldo e merr goditjen e radhës

Atletico Madridi e ka hedhur poshtë mundësinë e transferimit të Cristiano Ronaldos nga Manchester United.

Ylli portugez e ka bërë të qartë se dëshiron të largohet nga “Old Trafford” pasi dëshiron të luajë në një klub i cili merr pjesë në Ligën e Kampionëve.

Menaxheri i lojtarit, Jorge Mendes ka folur me klubet si Chelsea, Paris Saint-Germain, Napoli dhe Bayern Munich, por të gjithë ishin kundër idesë që ta transferojnë 37 vjeçarin.

Dhe, dje mediat e huaja shkruan se në opsion të pesë herë fituesit të Topit të Artë është edhe Atletico Madridi, të cilit i është ofruar ai.

Megjithatë, “Rojoblanco” duket se janë bërë klubi i fundit që e refuzon transferimin e Ronaldos për shkak të arsyeve financiare.

“Nuk është e mundshmë në aspektin ekonomik”, ka insistuar një drejtues i Atleticos, shkruan mediumi spanjoll “Marca”.

Ronaldo ka oferta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Arabia Saudite, por dëshiron të luajë ende në nivele të larta në futbollin evropian.

Ekipet nga qyteti i Milanos, Sevilla, Ajaxi dhe Porto janë disa prej opsioneve të mbetura, por asnjëri prej tyre nuk ka zgjuar interesim për ish-futbollistin e Sporting Lisbonës, Real Madridit dhe Juventusit.

Ndërkohë, Manchester United shpreson që ta ketë në dispozicion Ronaldon edhe në edicionin e ardhshëm pasi portugezi ka kontratë edhe një vit në “Teatrin e Ëndrrave”.

(Kosova Sot Online )