Trajneri Tuchel e gëzon Armando Brojën

  • S.A /
  • 20 July 2022 - 12:54
Trajneri Tuchel e gëzon Armando Brojën

Thomas Tichel e ka marrë vendimin final për Armando Brojën. Trajneri gjerman ka njoftuar se sulmuesi shqiptar do të qëndrojë në Chelsea përkundër spekulimeve për largimin e tij nga “Stamford Bridge”.

Përfaqësuesi shqiptar e pati një sezon pozitiv në Southampton, ku ishte i huazuar, ndërsa gjatë kësaj vere u rikthye në Londër. Për të, interesim kanë shfaqur klubet tjera të Premierligës, West Ham United, Everton dhe Newcastle United. Mirëpo, me largimin e Romelu Lukakut, i cili përfundoi në Inter dhe me të ardhmen e paqartë të Timo Wernerit, Chelsea nuk dëshiron të rrezikojë dhe ka vendosur që ta mbajë Brojën në Londër.

Lojtari i kishte realizuar 6 gola në 32 paraqitje me Southamptonin në edicionin 2021/22.

“Nuk pres që Broja të largohet. Ne jemi të vetëdijshëm me interesimin dhe ofertat, të cilat na tregojnë se ka potencial në të. Por, vendimin do ta marr unë dhe pronarët së bashku në fund, po ashtu në koordinim me lojtarin”, deklaroi fillimisht ish-trajneri i Paris Saint-Germainit.

“Kur ka ardhur këtu, është e qartë se ai po mundohet të impresionojë dhe po mundohet të mbetet lojtar i Chelseat. Pas huazimit të tij në Southampton, situata ishte mjaft e qartë për të që ta bënte hapin e radhës, që ta shfaq përmirësimin e tij dhe ta ketë një fazë parasezonale impresionuese”, vazhdoi ai.

“Fatkeqësisht, ai u lëndua vetë dhe po bëhet shumë zhurmë për shkak të ofertave dhe interesimit për të. Të shohim se si do të shkojë në fund. Jam mjaft i qetë sepse ne e dimë situatën dhe kemi kontratë me lojtarin”, nënvizoi trajneri gjerman. “Duhet ta kuptojmë nëse do ta kemi mundësinë t’ia ofrojmë minutat e nevojshëm këtu për t’u rritur dhe zhvilluar si lojtar. Në të kundërtën, do ta dërgojmë diku në huazim”, përfundoi Tuchel

Broja është i vendosur për ta treguar veten në Chelsea, por nuk do t’i përjashtonte mundësitë që i kanë ardhur. Ditë më parë u tha se lojtarin e do edhe Milani në Itali. 

(Kosova Sot Online )