Pas Kombëtares rikthehet Superliga me dy ndeshje të mbetura, derbi Prishtina – Drita

  • E.K /
  • 28 September 2022 - 13:00
Pas Kombëtares rikthehet Superliga me dy ndeshje të mbetura, derbi Prishtina – Drita

Futbolli kosovar do të rikthehet sot pas pauzës që e bëri për shkak të angazhimeve të Kombëtares së Kosovës.

Sot do të luhen dy ndeshje të mbetura të Albi Mall Superligës së futbollit.

Loja kryesore e ditës do të jetë ajo në mes të Prishtinës me Dritën.

Kjo ndeshje ishte e vlefshme për xhiron e tretë të ligës elitare, ndërsa do të luhet vetëm nesër në stadiumin “Fadil Vokrri” duke filluar nga ora 19:00.

Kryeqytetasit do të mundohen ta ndalin liderin e Superligës dhe trajneri Ismet Munishi i ka motivuar lojtarët dhe i pret tifozët e shumtë në stadium.

Nga ana tjetër, “Intelektualët” nuk dinë se çka është humbja dhe këtë seri do të tentojnë ta vazhdojnë edhe nesër mbrëma.

Ndërkohë, sot në fushën e blertë do të zbresë edhe kampioni aktual i Kosovës, Ballkani.

Therandasit do ta luajnë ndeshjen e mbetur nga xhiroja e parë ndaj Malishevës, për shkak të angazhimeve të tyre në Ligën e Konferencës.

Kjo përballje do të luhet në stadiumin “Liman Gegaj” duke filluar nga ora 13:00.

Ekipi nga Suhareka është në vendin e tretë dhe i ka tri ndeshje më pak të luajtura.

Me një fitore eventuale, ekipi i trajnerit Ilir Daja do të ngritej në vendin e dytë.

Kurse, Malisheva gjendet në pozitat e fundit dhe një rezultat pozitiv do ta bënte këtë ekip të marrë frymë më lirshëm përkohësisht.

(Kosova Sot Online)