Java e 11-të nis sot/ Drita i shkon Dukagjinit, Prishtina e pret Ferizajn

  • S.A /
  • 15 October 2022 - 09:22
Java e 11-të nis sot/ Drita i shkon Dukagjinit, Prishtina e pret Ferizajn

Java e 11-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll do të hapet sot me dy ndeshje. Skuadra lidere në tabelë dhe e vetmja pa humbje, Drita, do të luajë në udhëtim kundër Dukagjinit, që ka regjistruar dy fitore radhazi së fundmi.  Ndeshja do të zhvillohet nga ora 13:00, në stadiumin “18 Qershori”. Gjilanasit kanë grumbullar 24 pikë, kurse skuadra nga Klina me 8 pikë renditet e teta në tabelë. Ndeshja tjetër do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, mes Prishtinës dhe Ferizajt, gjithashtu nga ora 13:00.

Kryeqytetasit nuk kanë regjistruar ende fitore si vendas, teksa ferizajasit synojnë befasinë me trajnerin e ri kroat, Andrej Panadic, i cili do të debutojë sot.

Prishtina, që ka luajtur nëntë ndeshje deri më tani këtë sezon, renditet e katërta në tabelë me 12 pikë. Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi nuk di për fitore në tri ndeshjet e fundit, duke regjistruar dy humbje dhe një barazim.

Ferizaj është i fundit me 8 pikë, derisa në katër ndeshjet e fundit ka regjistruar dy humbje e dy barazime. 

(Kosova Sot Online )