Rusia refuzon apelin e yllit amerikan të basketbollit

  • A.P /
  • 25 October 2022 - 16:30
Rusia refuzon apelin e yllit amerikan të basketbollit

Një gjykatë në Rusi ka hedhur poshtë apelin e yllit amerikan të basketbollit, Brittney Griner, kundër dënimit “traumatik” me nëntë vjet burgim.

Ajo është burgosur pas akuzave për posedim të drogës.

Një gjykatë afër Moskës ka mbajtur seancën gjyqësore të 25 tetorit.

Fituesja e dyfishtë e medaljeve olimpike, ka kërkuar falje për “gabimin e saj të paqëllimshëm”, duke shtuar se ka qenë “shumë, shumë e stresuar”.

Griner, 32-vjeçare, është dënuar në muajin gusht për kontrabandim dhe posedim të vajit të kanabisit.

Avokati i saj, Alexander Boykov, ka thënë para gjykatës se “asnjë gjykatës, dorën në zemër, nuk do të thotë me sinqeritet se dënimi nëntëvjeçar i Grinerit është në linjë me ligjin penal rus”.

Një diplomat i lartë amerikan, i cili ka marrë pjesë në seancë, e ka konsideruar vendimin si “të tepruar dhe jopropocional”.

E konsideruar si një nga lojtaret më të mira në botë, Griner është dënuar më 17 shkurt në një aeroport afër Moskës, kur në valixhe i është gjetur vaji i kanabisit.

Ajo ka shkuar në Rusi për të luajtur në një ndeshje basketbolli.

Rasti i saj është kthyer në temë diskutimi edhe në nivelin diplomatik në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, ndonëse marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar prej kur Rusia ka nisur luftën në Ukrainë më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. 


(Kosova Sot Online)