Shqipëria barazon me Arabinë Saudite

  • A.P /
  • 26 October 2022 - 19:33
Shqipëria barazon me Arabinë Saudite

Shqipëria ka barazuar 1-1 me Arabinë Saudite në miqësoren e luajtur sot në “Al Nahyan Stadium” të Abu Dabit. Kuqezinjtë e mbyllën pjesën e parë në disavantazh, ndërsa në pjesën e dytë Bekim Balaj realizoi golin e barazimit. Trajneri Edoardo Reja e nisi ndeshjen me këtë formacion: Elhan Kastrati, Erdenis Gurishta, Eneo Bitri, Rudolf Turkaj, Albion Marku, Esat Mala, Ardit Deliu, Arbnor Muçolli, Andi Hadroj, Sokol Cikalleshi dhe Redon Xhixha.

Pjesa e parë ka qenë thuajse e barabartë dhe e ekuilibruar e luajtur më shumë në mesfushë me shumë pak raste për shënim të shfrytëzuara nga të dyja skuadrat. Një nga momentet kulmore për kuqezinjtë ka ardhur në minutën e 31-të nga këmbët e Redon Xhixhës, i cili arrin të dalë vetëm me portierin, por në momentin e fundit nuk arrin ta dërgojë topin në rrjetë.

Arabët janë me fat kur në minutën e 43-të një gjuajtje nga distanca ndalet brenda zonës nga mbrojtësi Bitri dhe për gjyqtarin është penallti pasi ka parë prekje të topit me dorë. Nga e pika e bardhë godet sulmuesi Saleh Khalid Alshehri, i cili realizon gol dhe kalon në avantazh Arabinë Saudite. Portieri Kastrati gjen krahun, por nuk ndalon të ndalë gjuajtjen e fortë me topin që përfundon në portë.

Në nisje të pjesës së dytë trajneri Edoardo Reja ka bërë shumë zëvendësime duke hedhur në fushë Bekim Balaj, Gentian Selmani, Odise Roshi, Mario Mitaj, Sherif Kallaku, Arinaldo Rrapajdhe Xhuliano Skuka. Me të nisur loja Shqipëria gjen shumë shpejt golin e barazimit me Bekim Balaj që finalizon bukur një pasim të Odise Roshit, duke shënuar golin e 1-1.

Në minutën e 58-të Shqipëria kishte një shans të mirë për gol me Xhuliano Skukës, që pësoi një ndërhyrje të parregullt në zonë, por gjyqtari është i mendimit se nuk është penallti. Në minutat në vijim Shqipëria vijon të luajë mirë duke krijuar volum loje, ndërsa në minutën e 78-të hyn në fushën e lojës edhe Lorenco Vila me trajnerin Reja që aktivizoi thuajse të gjithë lojtarët e ftuar. Deri në fund rezultati nuk ndryshon dhe miqësorja mbyllet në barazim 1-1.


(Kosova Sot Online)