E bija e Peles i kujton momentet e lumtura me një mesazh prekës për legjenden me gjendje të rënduar shëndetësore

  • S.A /
  • 28 December 2022 - 10:11
E bija e Peles i kujton momentet e lumtura me një mesazh prekës për legjenden me gjendje të rënduar shëndetësore

Pele ka një kohë të gjatë që po vazhdon të qëndrojë i shtrirë në spital,  që nga 29 nëntori, ndërsa pranë po i qëndron familja, transmeton "Kosova Sot Online".

Legjenda braziliane është i vetëdijshëm dhe gjendja e tij është stabile, sipas njoftimit të fundit zyrtar në spitalin ku gjendet ai në Sao Paolo.

Në Spitalin “Albert Einstein” gjenden edhe vajza e tij, Kely Nascimento. Qe një javë, ajo nuk ka lëvizur nga spitali duke i lënë prapa krejt angazhimet për ta përcjellë hap pas hapi legjendën e futbollit në luftën e tij më të vështirë deri tash kundër tumorit në zorrë, që e ka prekur qe një vit.

E bija e “O Rey” po e shfrytëzon kohën e saj të lirë në spital për të bërë postime në rrjetet sociale.

Sot, ajo e ka publikuar një fotografi nga arkivi të familjes së saj gjatë një feste të bërë në gala mbrëmje në Institutin Pele Pequeno Principe, që merret me zhvillimin e mjekësisë pediatrike.

Në fotografi, ku Pele duket në top-formë, prezentë janë edhe dy motrat e Kelyt, Jennifer, edhe ajo vajzë nga martesa e parë e Peles, si dhe Flavia, vajzë e një lidhjeje të zakonshme të ish-futbollistit brazilian.

Jennifer është e vetmja nga pasardhëset e Peles që nuk e ka vizituar ende babanë e saj në spital.

“Koha fluturon, momentet e lumtura janë të përhershme”, ka shkruar e bija e Peles, Kely në postimin e saj në Instastory.

(Kosova Sot Online )