Pse Reali nuk e do largimin e Asensios

  • A.P /
  • 31 January 2023 - 17:26
Pse Reali nuk e do largimin e Asensios

Real Madridi raportohet se e ka “bllokuar” mundësinë e largimit të Marco Asensios në këtë afat kalimtar dimëror, pavarësisht se ai ka edhe 6 muaj në kontratën e tij.

Paris Saint-Germain thuhet se e ka kthyer vëmendjen te anësori i Chelseat, Hakim Ziyech, në ditën e fundit, por kjo besohet se ndodhi vetëm pasi parisienët nuk ia dolën me spanjollin.

Asensio është i lirë të negociojë një marrëveshje me çdo palë të interesuar aktualisht, por dëshira e tij është për të qëndruar në “Santiago Bernabeu” deri në fund të sezonit.

Edhe përgjigja e Real Madridit ndaj PSG-së thuhet se ka qenë e prerë: “Madridi nuk do të dëgjojë asnjë ofertë për Asension në këtë afat kalimtar pasi prioriteti është ta lidh atë me një kontratë të re. ‘Los Blancos’ nuk i kanë dhënë as shansin PSG-së për t’iu afruar zyrtarisht’”, ka zbuluar mediumi spanjoll, “Relevo”.

Sidoqoftë, e ardhmja e Asensios vazhdon të jetë ende e paqartë, duke marrë parasysh se kontrata e tij skadon në verë.

Ka raportimet se 27-vjeçari është në bisedime për rinovim të kontratës me Real Madridin, por ende nuk ka diçka konkrete.

Megjithatë, tani për tani dihet se dëshira e Asensios është për të qëndruar te kampionët në fuqi të Evropës dhe Spanjës.

(Kosova Sot Online)