Motra e Christian Atsu flet për gjendjen e futbollistit që gjendet ende nën rrënoja në Turqi

  • S.A /
  • 15 February 2023 - 13:45
Motra e Christian Atsu flet për gjendjen e futbollistit që gjendet ende nën rrënoja në Turqi

Kanë kaluar 10 ditë që prej tërmetit të tmerrshëm që e goditi Turqinë.

Dhjetëra mijëra njerëz e humbën jetën dhe mijëra të tjerë vazhdojnë të mbesin nën rrënoja. Ekipet e kërkim-shpëtimit po shpresojnë që të gjejnë ende persona të mbijetuar. E shpresat nuk vdesin as për Christian Atsu Twasam. Futbollisti ganez ishte viktimë e tërmetit të frikshëm në Turqi, i cili ndodhi të hënën e kaluar. Futbollisti i Hatayspor ishte në katin e nëntë kur ndërtesa u shemb, së bashku me 9 lojtarë të tjerë dhe dy zyrtarë të klubit. Pak ditë pasi u dha lajmi që Atsu ishte nxjerrë nga gërmadhat dhe se i kishte pësuar disa lëndime në trup. Por, ky lajm doli të ishte i rremë pasi trupi i Atsu nuk është gjendur ende. Gjasat vazhdojnë të jenë të vogla pasi kanë kaluar 10 ditë pa bukë dhe pa ujë.

Edhe pse autoritetet turke kanë thënë se asnjë person, i gjallë apo i vdekur, deri tash s’ka mundur të largohej nga Residence A1 Block, motra e futbollistit, Atsupie shpreson që vëllai t’i gjendet i gjallë. Në një intervistë që ia dha “Crime Check TV” nga Turqia, ajo theksoi se kamerat termale kanë dhënë shenja se shumë njerëz mund të jenë ende gjallë nën rrënoja. Ajo tutje kërkoi që ganezët t’i vazhdojnë lutjet për vëllain e saj, sepse ajo thellësisht beson se ai është ende gjallë dhe se do të nxirret prej rrënojave shpejt. Edhe familjarët e tjerë të Christian Atsu po presin ende përpara ndërtesës së rrënuar Hataway Residence, ku besohet se lojtari ka përfunduar nën rrënoja. Nga pamjet shihet një merak dhe shqetësim i madh në fytyrat e tyre, edhe pse shpresat që ai do të gjendet i gjallë janë ende të pranishme.

(Kosova Sot Online )