Bayerni e suspendon Manen

  • A.P /
  • 13 April 2023 - 16:31
Bayerni e suspendon Manen

Bayern Munichu ka vendosur ta suspendojë Sadio Manen për një periudhë të pacaktuar.

Vendimi i gjigantit bavarez erdhi pasi sulmuesi senegalez e grushtoi bashkëlojtarin e tij, Leroy Sane pas përfundimit të ndeshjes së Ligës së Kampionëve ndaj Manchester Cityt, njoftojnë mediat gjermane.

Ish-futbollisti i Liverpoolit stërviti sot me ekipin, por më pas klubi nga “Allianz Arena” e mori vendimin që ta pezullojë për një kohë sulmuesin.

Mane ishte fjalosur me Sanen gjatë lojsës së zhvilluar në “Etihad Stadium”, ndërsa situata ishte përkeqësuar në dhomën e zhveshjes, aty ku 31 vjeçari e qëlloi me grusht 27 vjeçarin për t’ia çarë buzën atij dhe për t’ia shkaktuar gjakderdhje përfaqësuesit gjerman.

Ky veprim ishte i papranueshëm për kampionin gjerman, i cili e suspendoi lojtarin afrikan, i cili pritet edhe të gjobitet me para.

Sot paradite drejtuesit e klubit u takuan me dy lojtarët, të cilët kërkuan falje për zënkën mes tyre. 

(Kosova Sot Online)