Gjendje alarmante në futbollin e Kosovës, asnjë klub nuk i plotëson krejt kriteret për licencim

  • S.A /
  • 14 April 2023 - 12:01
Gjendje alarmante në futbollin e Kosovës,  asnjë klub nuk i plotëson krejt kriteret për licencim

Ditëve të fundit janë shtuar zërat që thonë se procesit të licencimit të Federatës së Futbollit të Kosovës nga Ministria e Sportit po i vjen fundi. Në anën tjetër, burime zyrtare nga Ministria e Sportit i kanë thënë për medie se as edhe një klub i vetëm i futbollit nuk i ka përmbushur deri tash të gjitha kriteret që duhen plotësuar për licencim, ndonëse disa janë afër. Përparimi i FFK-së në përmbushje të kritereve është i pamjaftueshëm. Duhet që së paku 50 për qind e klubeve ta kalojnë këtë proces në mënyrë që të licencohet federata.  mediat  sjellin rrëfimin e një klubi të Superligës që po bën përpjekje të mëdha e të vazhdueshme për licencim, por pa sukses. Klube si ky ka plot, me mungesë prej dokumenteve e deri te mungesa e historikut të tyre. Sidoqoftë, duket të jetë e domosdoshme mbyllja e njërit sy nga Ministria që ky proces të kalojë sa më shpejt

Procesi i licencimit të Federatës së Futbollit të Kosovës duket se nuk ka kufi.

Federata më e madhe në vend ka mbetur pa u licencuar nga Ministria e Sportit pasi Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive ka gjetur vërejtje dhe mangësi në dokumentacione të aplikimit.

Me këtë rast, klubet e futbollit po i humbin miliona euro shkaku i pamundësisë së shfrytëzimit të sponsorëve, të cilët nuk po munden të lehtësohen nga tatimi në fitim shkaku i moslicencimit të FFK-së.

Fillimisht, probleme me licencim kishte Federata e Futbollit të Kosovës, e cila duket se ka përparuar në përmbushjen e kritereve. Por, kjo është e pamjaftueshme kur klubet që janë nën ombrellën e saj i kanë punët për faqe të zezë. Nga qindra klube sa janë të regjistruara në shtëpinë e futbollit kosovar, asnjë prej tyre nuk është plotësisht “në vijë”.

Një burim i sigurt nga Ministria e Sportit i ka thënë  se asnjë klub i futbollit në Kosovë nuk i plotëson 100 për qind të kritereve për licencim. “Disa klube janë afër, por s’ka ndonjë klub që i ka plotësuar 100 për qind”, i tha një burim zyrtar i Ministrisë. Sipas këtij burimi, nuk ka afate të skadimit, vetëm që duhet të plotësohen kriteret dhe sa më shpejt aq më mirë.

Gjithnjë sipas këtij burimi, edhe vetë MKRS-ja dëshiron të kryhet sa më shpejt ky proces dhe FFK-ja të licencohet. Problemet që u janë shfaqur klubeve pa dyshim se janë mjaft shqetësuese për faktin se për t’u licencuar FFK-ja në MKRS, është kusht që mbi 50 për qind të klubeve të jenë të licencuara nga Ministria e Sportit.

Atyre, Komisioni Vlerësues këtë javë ua ka dërguar përmes e-mailit rekomandimet dhe vërejtjet, me disa kritere që duhet t’i plotësojnë me kusht që të licencohen ato.

{671598/}

Kjo pa dyshim se do ta zvarrisë edhe një kohë licencimin e FFK-së, ndonëse ajo, së bashku me klubet, besonin se licencimi ishte në prag të derës. Ferizaj është njëri prej klubeve të palicencuara ende nga Ministria.

Presidenti i këtij klubi, Lulzim Abazi  tregon se është informuar që 90 për qind të klubeve nuk i kanë plotësuar ende krejt kriteret për licencim. Sipas tij, në këtë “thes” janë futur edhe krejt klubet e Superligës dhe ato të Ligës së Parë, të cilat e përbëjnë boshtin e futbollit kosovar, ndërsa shton nuk ka mundur të merrte informata nëse ndonjë klub eventualisht i plotëson krejt kriteret. Për çështjen e licencimit është bërë një hallakamë e madhe kohëve të fundit dhe as vetë pronari i klubit ferizajas nuk e ka të qartë se çfarë po ndodh.

“Deri para dy ditësh nuk kemi pasur informata, por pardje na erdhi një e-mail me vërejtjet që na dërgoi Komisioni për Licencim, që ishin ‘copy-paste’ prej së kaluarës. E dje, i shoqëruar nga avokati i klubit dhe me zyrtarë të administratës së klubit kemi shkuar në Ministrinë e Sportit për t’i sqaruar këto situata. Ne e kemi kthyer e-mailin, por na u kërkua që ta dërgonim edhe fizikisht materialin. Dhe, e dërguam në Federatë, e cila më pas mund t’ia dërgojë Ministrisë. Nuk po e kuptojmë këtë situatë”, thotë fillimisht Abaz.

“Njëra prej vërejtjeve që na u dha ishte tek ndryshimi i aksionarëve, kërkonin dokumente se si ka qenë klubi në fillim. Ne e dërguam dokumentin se si është situata momentale, jemi të regjistruar në arbk dhe jemi në rregull me dokumente. Ata na e kërkuan një kronologji të klubit, arkivin e klubit. Gjithashtu, një tjetër kërkesë e tyre, mos të themi banale, ishte që kur e kemi dërguar statutin, ai nuk i kishte informatat e duhura dhe të plotësuara. Por, ne e dokumentuam që jemi në rregull. Janë disa kërkesa të pakuptimta”, vazhdoi kreu i klubit ferizajas.

Ai tutje zbuloi se sot do të mbahet një takim mes klubeve për të diskutuar rreth kritereve që nuk janë plotësuar nga ta dhe për hapat e mëtutjeshëm që do të ndërmerren.

“Sot do të takohemi me klubet në orën 14:00, do të shkojmë në Federatë për t’u takuar pasi një nga një po është më e vështirë. Sa mora informata në Ministri, për 90 për qind të klubeve i kanë disa vërejtje, kryesisht për gabime teknike. Pra, 90 për qind të klubeve kanë diçka probleme. Me sa e pash, krejt Superliga dhe Liga e Parë kanë mbetur pa u licencuar, ka vërejtje tek shumica e klubeve. Duhet të shikojmë ta gjejmë një zgjidhje, nëse janë obligimet që na takojnë ne, do të mundohemi t’i rregullojmë”, shton tutje Abazi.

Ai e ka një ankesë edhe në Komisionin Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive.

“Nuk e di se çka ju duhet arkiva e klubit. Një herë thanë se Federata nuk i plotëson kriteret, e tash klubet. Problemi i parë i klubeve na thanë se është preambula”, përfundoi Abazi.

Sidoqoftë, duket të jetë e domosdoshme mbyllja e njërit sy nga Ministria që ky proces të kalojë sa më shpejt.

Futbolli kosovar kohëve të fundit po përballet me probleme të shumta, duke nisur nga goditja që e mori me mbajtjen në arrest shtëpiak për një muaj të kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, pastaj moslicencimi i Federatës dhe i klubeve, si dhe gjendja e rëndë financiare që i ka kapluar klubet, një pjesë e mirë e së cilave iu kanë mbetur borxh nga disa muaj futbollistëve të tyre. 

(Kosova Sot Online )