Drejtuesit e Interit premtojnë bonuse për skuadrën

  • A.P /
  • 17 April 2023 - 18:22
Drejtuesit e Interit premtojnë bonuse për skuadrën

Drejtuesit e Interit thuhet se po mendojnë t’i japin një bonus parash Simone Inzaghit dhe lojtarëve, nëse skuadra arrin të kualifikohet në Ligën e Kampionëve edhe për sezonin e ardhshëm.

“La Gazzetta dello Sport” ka raportuar se pas humbjes nga Monza të shtunën, Inzaghi ishte në një takim me krerët e klubit dje. Inzaghit iu përsërit se gjërat nuk po shkojnë siç duhet dhe se duhet të përmirësohen së shpejti

Në takim është marrë një vendim surprizë dhe thuhet se drejtuesit e klubit po mendojnë t’i japin një bonus atij dhe ekipit, nëse arrijnë të kualifikohen në Ligën e Kampionëve në çfarëdo mënyre për sezonin e ardhshëm.

Derisa po vlerësohet si një vendim “ekstrem”, kjo po shihet edhe si një përpjekje për të motivuar ekipin.

Në takim gjithashtu thuhet se iu bë e qartë trajnerit italin se kualifikimi në Ligën e Kampionëve është objektivi minimal që duhet arritur. Për momentin, duket sikur drejtuesit janë pozitivë për idenë e bonuseve, por nëse Interi nuk arrin të kalojë Benfican, Inzaghi edhe mund të shkarkohet.

“Nerazzurrët” e fituan në udhëtim ndeshjen e parë çerekfinale ndaj skuadrës portugeze me rezultatin 0:2. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 19 prill, në “Guiseppe Meazza”.

Interi është në pozitën e pestë në tabelën e Serie A me 51 pikë të grumbulluara pas 30 xhirosh, me vetëm dy pikë më pak se Milani që është i katërti.

Nëse nuk ia del që të zë njërën prej katër pozitave të para që dërgojnë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, opsion tjetër për skuadrën e drejtuar nga 47-vjeçari është që të fitojë Ligën e Kampionëve, pasi dihet se kampioni i kësaj gare e siguron pjesëmarrjen edhe për sezonin tjetër. 

(Kosova Sot Online)