Di Maria flet për Argjentinën e për Messin
Legjenda argjentinase, Ángel Di María e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në kombëtaren e Argjentinës, duke theksuar se vendimi i tij për t’u tërhequr është përfundimtar.
Në një intervistë të dhënë pak ditë para Kupës së Botës 2026, ish-anësori i Argjentinës e pranoi se në fillim e kishte të vështirë të mos ishte më pjesë e skuadrës, por tani ndihet i qetë me zgjedhjen e bërë.
“Jo. Tashmë ka marrë fund, ky është vendimi që e kam marrë”, deklaroi Di Maria kur u pyet për një rikthim të mundshëm në përfaqësuese.
Megjithatë, 38-vjeçari nuk e përjashtoi mundësinë për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ta mbështetur Argjentinën gjatë Botërorit, nëse kalendari i tij me Rosario Central do ta lejojë.
Duke folur për ekipin e drejtuar nga Lionel Scaloni, Di Maria u shpreh i bindur se brezi i ri do t’i japë energji skuadrës, por nënvizoi se vetëm një lojtar ka status të padiskutueshëm.
“I vetmi i padiskutueshëm është Messi. Të gjithë të tjerët duhet të luftojnë për vendin e tyre.”
Sipas tij, pikërisht konkurrenca e fortë brenda grupit është një nga arsyet pse Argjentina vazhdon të mbetet në elitën e futbollit botëror.
Ndërkohë, kapiteni Lionel Messi pritet të jetë figura kryesore e “Albiceleste” edhe në Botërorin 2026, pavarësisht moshës së tij.
(Kosova Sot Online)
