Çka po ndodhë te Juventusi që ende rrezikon të mbetet jashtë Ligës së Kampionëve?

  • S.A /
  • 22 April 2023 - 14:46
Çka po ndodhë te Juventusi që  ende rrezikon të mbetet jashtë Ligës së Kampionëve?

Juventusit mund t’i jenë kthyer 15 pikët, të paktën përkohësisht, por “Zonja e Vjetër” ende rrezikon të mbetet jashtë Ligës së Kampionëve për sezonin e ardhshëm, transmeton "Kosova sot Online "

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, ankesa e Juventusit në “Collegio di Garanzia” të Komitetit Olimpik Kombëtar Italian (CONI) ishte pjesërisht e suksesshme, pasi tani atyre u janë kthyer përkohësisht 15 pikët përpara një gjyqi të tretë sportiv për shkelje të supozuara të fitimeve kapitale.

Juventusi tani po pret të dëgjojë arsyet e CONI-t pas vendimit të tyre, që mund të zgjasë deri në 30 ditë, përpara se të zhvillohet një gjyq i ri nga Federata e Futbollit e Italisë (FIGC). Kjo mund të ndodhë para fundit të majit, me synimin që të kemi një vendim përfundimtar para përfundimit të sezonit në Serie A, më 4 qershor.

Edhe pse Juventusit i janë kthyer 15 pikët, FIGC thuhet se do të vazhdojë të kërkojë të ndëshkojë klubin nga Torino në gjyqin e tretë sportiv me një dënim të ri me pikë, duke dashur të paralajmërojë që është kundër kësaj sjelljeje, me një ndëshkim të qartë.

Avokatët e “Bianconerëve” mund t’i kërkojnë Gjykatës së Apelit që të zhvendosë dënimin në sezonin e ardhshëm në një marrëveshje të mundshme për pranimin e fajësisë, diçka që është brenda rregulloreve, por FIGC do të preferonte një dënim për këtë sezon.

Ka rryma të ndryshme mendimi për interpretimin e neneve 126 dhe 127 të Kodit të Drejtësisë Sportive të FIGC, por që gjithçka pritet të vendoset në fund të këtij muaji, ose në fillim të muajit të ardhshëm.

Pasi iu kthyen 15 pikët, Juventusi u ngjit në pozitën e tretë në tabelë dhe tani ka 59 pikë, dy më pak se Lazio (2) dhe tri më shumë se Roma (4).

Megjithatë, një vendim për një dënim të ngjashëm sërish, mund ta lë skuadrën e Massimilano Allegrit jashtë zonës së Ligës së Kampionëve, ose nëse skuadra nuk e siguron matematikisht një vend në top-katërshe.

(Kosova Sot Online )