Xavi u kundërpërgjigjet mediave nga Madridi

  • A.P /
  • 26 April 2023 - 14:00
Xavi u kundërpërgjigjet mediave nga Madridi

Xavi Hernandez ka komentuar pseudonimin që i është dhënë në Madrid, pas ankesave të tij për gjatësinë e barit në disa fusha ku Barcelona ka luajtur.

Pas ndeshjes kundër Getafes (0:0) e zhvilluar më 16 prill, trajneri i Barcelonë u ankua se bari ishte shumë i gjatë dhe i thatë, duke penguar kështu lojën e tyre.

Ka qenë një pikë diskutimi për shumë njerëz dhe një çështje për të cilën Xavi është ankuar që kur ishte lojtar.

Sot, në konferencën për media një ditë para ndeshjes kundër Rayo Vallecanos, ai u pyet se çfarë mendonte për faktin që në Madrid, nga mediat e atjeshme, e quanin me tallje si “kopshtari” për komentet e tij mbi bar.

“Më bën të qesh. Por, kjo është prej shumë vitesh. Unë nuk do të ndalem. Më mirë një kopshtar se çdo gjë tjetër. E marr si shaka, sinqerisht. Le të më quajnë kështu edhe për shumë vite të tjera. Unë nuk do të ndalem”, tha Xavi.

“Mendoj se pas disa vitesh do të hedhim duart në kokë dhe do të themi ‘Zoti im, çfarë po bënim kur nuk kishim kohë shtesë, ose kur fusha ishte e ngopur me ujë, ose kur bari ishte i tillë’. Nuk do të ndalem derisa futbolli të jetë më i drejtë për të gjithë. Pavarësisht sa vite më quajnë ‘kopshtar’”, shtoi 43-vjeçari.

Tutje, Xavi tha se shpreson që fusha të jetë në gjendjen e duhur për ndeshjen e nesërme.

(Kosova Sot Online)