Arteta: Për t’u bërë kampionë duhet t’i mposhtësh

  • A.P /
  • 25 April 2023 - 22:50
Arteta: Për t’u bërë kampionë duhet t’i mposhtësh

Mikel Arteta është i vetëdijshëm për sfidën përpara udhëtimit të Arsenalit në Manchester City të mërkurën mbrëma.

“Topçinjtë” do të luajnë nesër kundër kampionit në fuqi, ndeshje e cila edhe mund të vendosë për titullin e kampionit.

Me dy ndeshje më shumë, Arsenali prin në tabelë me 75 pikë – pesë më shumë se “Qytetarët”.

“Po, do të jetë një natë e vështirë dhe një sfidë. Por, mundësia është e pabesueshme për ne”, tha fillimisht Arteta në prag të kësaj ndeshjeje.

“Ne e dinim që në fillim, [nëse] doni të fitoni një titull në Premierligë, duhet të shkoni te Spurs dhe duhet t’i mposhtni ata; ju duhet të shkoni në Chelsea dhe ju duhet t’i mundni ata”, shtoi trajneri spanjoll.

“Dhe kjo është ajo që ne bëjmë. Dhe kjo është arsyeja pse ne jemi këtu. Tani duhet të shkojmë te City dhe ju duhet t’i mundni ata. Nëse doni të jeni kampionë, duhet t’i fitoni ato ndeshje. Është kaq e thjeshtë”, vazhdoi trajneri i londinezëve.

“Ne e dinim që në fillim se City ishte skuadra për t’u mposhtur, ndoshta me Liverpoolin për shkak të asaj që ato skuadra kanë bërë në gjashtë, shtatë vitet e fundit dhe ata e meritojnë plotësisht këtë kredit. Dhe për të qenë në krye, ne ishim ata që donim ta mbyllnim atë boshllëk sa më shumë që të mundeshim dhe ne jemi me ta. E dinim se duhej të shkonim në ‘Etihad’ dhe e dimë se pas kësaj ata do të jenë pesë ndeshje të tjera shumë të vështira”, tha Arteta.

I pyetur nëse një fitore e parë për Arsenalin në ‘Etihad’ që nga janari i vitit 2015 do t’i garantonte titullin, 41-vjeçari ishte i prerë në përgjigje.  

“A do të përcaktojë sezonin? Përgjigjja është jo. Nëse fitojmë nesër mbrëma, ne nuk e kemi fituar ligën, kjo është e sigurt. Do të ndryshojë pak përqindjen, por janë edhe pesë ndeshje tjera në këtë ligë”.

Arsenali ka lëshuar pikë në tre ndeshjet e fundit, duke regjistruar tri barazime radhazi, pjesërisht për shkak të gabimeve në mbrojtje që i kushtuan gjithashtu skuadrës së tij në ndeshjen e kundërt e parë kundër Manchester Cityt, ku humbi 3:1 .

Trajneri i “Topçinjve” tha se ata nuk mund të përballojnë të bëjnë gabime të ngjashme të mërkurën. 

“Ju nuk mund të dhuroni asgjë. Kundër ekipeve të mëdha të ndëshkojnë menjëherë. Ajo ndeshje [në shtëpi ndaj Man Cityt], për shumë periudha, ne ia dolëm vërtetë, vërtet mirë dhe merituam shumë më mirë. Por, përsëri patëm një ose dy momente që ua dhamë atyre dhe ndeshja mbaroi”, deklaroi Arteta.

Ndeshja mes Manchester Cityt dhe Arsenalit do të zhvillohet nga ora 21:00. 

(Kosova Sot Online)