Samuels akuzon KB Bashkimit, thotë se i ka mbetur borxh

  • S.A /
  • 29 April 2023 - 12:36
Samuels  akuzon KB Bashkimit, thotë se i ka mbetur borxh

Samadro Samuels ishte basketbollisti që erdhi me shumë bujë në Kosovë, por ai duket se nuk ka qenë edhe shumë i kënaqur me aventurën e tij në vendin tonë. Qendra nga Xhamajka, që ka bërë karrierë në NBA e Euroligë, ishte zyrtarizuar te KB Bashkimi më 7 dhjetor të vitit të kaluar,transmeton "Kosova Sot Online ".

Klubi i Bashkimit i bëri atij një pritje të ngrohtë, teksa Samuels shfaqi cilësitë e tij edhe në basketbollin kosovar.

Por, 34-vjeçari, përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në “Instagram”, ka akuzuar prizrenasit për mos-përmbushje të kontratës.

Ai ka theksuar se kanë kaluar katër muaj, me ditët që po vazhdojnë të kalojnë, dhe ende nuk është paguar për këtë periudhë.

Samuels ka thënë që ndjehet i befasuar me këtë situatë, por pavarësisht kësaj, ai ka falënderuar klubin nga “Sezai Surroi” për mundësinë që të luajë.

“Dua t’i them faleminderit Bashkimit për mundësinë për të luajtur basketboll dhe për të përfunduar sezonin. Ky sezon ishte i mbushur me shumë surpriza. Surpriza më e madhe që më erdhi ishte fakti që ju nuk mund të paguanit rrogën që kishim rënë dakord në kontratën tonë. Kanë kaluar 4 muaj tani. Është një turp i vërtetë”, ka shkruar Samuels.

Nga KB Bashkimi nuk ka ende ndonjë reagim zyrtar lidhur me këtë akuzë të Samadro Samuels. 

(Kosova Sot Online )