Tri ndeshje sot në Superligë

  • A.P /
  • 07 May 2023 - 09:46
Tri ndeshje sot në Superligë

Gjatë ditës së sotme do të zhvillohen tri ndeshjet e fundit në kuadër të javës së 33-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Padyshim se e gjithë vëmendja për sot do të jetë në Gjilan, aty ku Drita e pret Ballkanin. Kjo ndeshje edhe mund të jetë përcaktuese sa i përket skuadrës kampione.

Në këtë përballje, të kaltrit nga Gjilani hyjnë si lider, me tre pikë më shumë se suharekasit që janë të dytit.

Tri fitoret radhazi të Dritës, e dy barazimet rresht të Ballkanit, kanë bërë që ta kemi këtë pasqyre në tabelë.

Ndeshje tjetër interesante pritet të jetë edhe ajo në kryeqytet, mes Prishtinës dhe Gjilanit, dy skuadrave në garë për dalje në Evropë.

Të kuqtë nga Gjilani janë të tretit në tabelë dhe kanë shtatë pikë më shumë se prishtinasit, që momentalisht pozicionohen të pestit.

Ndeshja tjetër për sot do të zhvillohet në Podujevë, me Llapin që në shtëpi e pret Ferizajn. Llapjanët nuk dinë për fitore tash e katër javë dhe kjo formë e dobët e tyre kanë bërë që të jenë larg një vendi në Evropë, plot nëntë pikë.

E në krahun tjetër, pas tri humbjeve rresht, në mesjavë Ferizaj arriti fitore, por është ende në zonën e rrezikshme.

Të tri këto ndeshje do të zhvillohen nga ora 15:00. 

(Kosova Sot Online)