Rikthehet paqja mes PSG-së dhe Messit

  • A.P /
  • 12 May 2023 - 14:10
Rikthehet paqja mes PSG-së dhe Messit

Trajneri i Paris Saint-Germainit, Christophe Galtier ka konfirmuar se me Leo Messin është rikthyer normaliteti, pas largimit të pa lajmëruar të yllit argjentinas drejt Arabisë Saudite, me ç’rast ai ishte suspenduar për dy javë.

Kampioni i botës është rikthyer në stërvitje ditë më parë, ndërsa është i gatshëm për ndeshjen e nesërme në Ligue 1 kundër Ajaccios.

“Leo Messi do të startojë nesër. Ai ka ushtruar në nivele të larta dhe qëndrimi i tij ishte perfekt”, ka thënë trajneri i PSG-së.

Suspendimi iu hoq të hënën Messit pasi të premten e kaluar ai kërkoi falje për shkuarjen në Lindjen e Mesme pa marrë leje nga klubi.

Messi kishte shkuar në Arabinë Saudite për çështje marketingu, ndërsa tha se nuk mund t’i refuzonte bashkëpunëtorët e tij për herë të tretë, pasi dy herë më parë e kishte shtyrë shkuarjen atje.

Messi po i kalon javët e fundit në fanellën e Paris Saint-Germainit pasi pritet të largohet nga Franca kur t’i përfundojë kontrata në fund të qershorit. 

(Kosova Sot Online)