Laporta: I kam ndrequr punët me Messin

  • A.P /
  • 15 May 2023 - 14:58
Laporta: I kam ndrequr punët me Messin

Presidenti i Barcelonës e ka pranuar se gjiganti katalunas do të mundohet ta rikthejë Lionel Messin në Camp Nou gjatë verës që po vjen.

Ylli argjentinas ishte larguar me lot në sy dy vjet më parë si lojtar i lirë për t’iu bashkuar Paris Saint-Germainit.

E tash, 35 vjeçari po shkon drejt fundit të kontratës me ekipin parisien, ku nuk e pati një eksperiencë fort pozitive, ndërsa së fundmi kanë nisur ta vërshëllejnë dhe të fyejnë edhe tifozët e PSG-së.

Kampioni i botës i kishte raportet e ftohta me presidentin Laporta prej kohës kur ishte larguar nga Barça.

Por, tash duket se raportet janë normalizuar dhe ylli argjentinas mund të rikthehet në klubin ku u rrit, derisa tifozët “Blaugrana” vazhdimisht po bëjnë thirrje publike për rikthimin e tij.

“Unë kam biseduar me Messin, e kemi normalizuar raportin tonë. Ishte mjaft mirë”, deklaroi fillimisht Laporta për “TV3”.

“Oferta e Al-Hilal? Barça është Barça. Ky klub mund të garojë me të gjithë. Në Arabi po bëhet punë e mirë dhe po investohet… Por, unë insistoj, Barça është shtëpia e tij. Ne e duam Messin”, vazhdoi Laporta.

Messi ka mundësi të rikthehet në Barcelonë, por ndërkohë ka ofertë të majme nga Arabia Saudite dhe atë e do edhe Inter Miami në SHBA

(Kosova Sot Online)