Pas Ronaldos e Benzemas, arabët synojnë yje të tjerë

  • A.P /
  • 12 June 2023 - 14:34
Pas Ronaldos e Benzemas, arabët synojnë yje të tjerë

Arabia Saudite është e vendosur për të sjellë sa më shumë yje të futbollit, në mënyrë që vëmendja e tifozëve të përqendrohet në këtë vend, i cili synon ta organizojë Kampionatin Botëror në vitin 2030.

Arabët goditën në muajt e fundit me Cristiano Ronaldon fillimisht, e së fundmi edhe me Karim Benzeman.

Por, Saudi Pro League synon të mbushet me yje të tjerë të futbollit botëror

Pasi nuk arritën ta bindnin Lionel Messin që të përfundojë në njërin prej klubeve të tyre, arabët tash ua kanë vënë syrin yjeve të tjerë të futbollit si Gundogan, Icardi, Neymar, Kane, Aubameyang, Lewandowski, Modric, Kante, Busquets e Alba, të cilët mund të përfundojnë ndërkohë në Lindjen e Mesme.

Atyre u është rezervuar një rrogë e jashtëzakonshme, ndërsa mund të përdoren ndërkohë edhe si ambasadorët në kandidaturën e Arabisë Saudite për ta organizuar Kupën e Botës 2030.

Por, nuk përjashtohet mundësia që njëri prej yjeve t’i refuzojë milionat arabë, njëjtë siç bëri Leo Messi.

Arabia Saudite synon që ligën e saj ta fusë në mesin e Top-10 ligave më të forta të botës, ndërsa aktualisht kjo ligë gjendet në vendin e 40-të.

Në vitet e fundit, niveli i futbollit arab është rritur falë investimeve të bëra, të cilat e mundësuan transferimin e lojtarëve dhe trajnerëve të shumtë, përfshirë këtu të atyre evropiane dhe jug-amerikanë, shkruan “Gazeta Express”.

“Vision 2030” është programi i ideuar nga Qeveria saudite për ta bindur FIFA-n që t’ia japë organizimin e Botërorit, nëse jo në vitin 2030, atëherë në atë 2034.

Katari e organizoi mjaft mirë Botërorin dhe Arabia Saudite do ta marrë këtë shtet si shembull për ta bërë të njëjtën gjë edhe vetë.

(Kosova Sot Online)