Neymar merr goditje financiare, gjobitet me 3,3 milionë dollarë

  • S.A /
  • 04 July 2023 - 11:40
Neymar merr goditje financiare, gjobitet me 3,3 milionë dollarë

Një prokurori në Brazil e ka gjobitur me 3,3 milionë dollarë futbollistin Neymar për ndërtimin e një liqeni artificial në rezidencën e tij në periferi të Rio de Janeiros pa e marrë licencën ambientale, transmeton "Kosova Sot Online".

Këshilli komunal i Mangaratibas, një zonë turistike rreth 130 kilometra nga Rio, ku futbollisti i Paris Saint-Germainit e ka vilën e tij, i ka dhënë katër gjoba për “dhjetëra shkelje” të zbuluara, duke e përfshirë “ekzekutimin e punimeve që i nënshtrohen kontrollit mjedisor pa autorizim”, “devijimi dhe përdorimi i ujërave të lumenjve” dhe “heqja e tokës dhe prerja e bimësisë pa autorizim”.

Neymar i ka 20 ditë për ta apeluar gjobën.

Përveç liqenit, në pronën e Neymarit ish-futbollistit të Barcelonës është në ndërtim e sipër edhe një plazh.

Autoritetet i kanë bllokuar punimet dhe e urdhëruan ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve.

Sidoqoftë, Neymar e ka organizuar një festë dhe mysafirët janë larë në liqe.

31 vjeçari aktualisht po rikuperohet nga operacioni që e kishte në nyjën e këmbës së djathtë, të cilit iu nënshtrua në Doha në muajin mars.

Përfaqësuesi brazilian nuk ka luajtur që nga muaji shkurt dhe nuk dihet nëse do të qëndrojë ende në PSG apo jo.

Neymar e bleu vilën në Mangaratiba për 28 milionë euro në vitin 2016: një pronë prej 10,000 metrash katrorë me një helipad, spa dhe një palestër.

(Kosova Sot Online )