Virgil van Dijk është emëruar si kapiten i ri i Liverpoolit

  • A.P /
  • 31 July 2023 - 19:53
Virgil van Dijk është emëruar si kapiten i ri i Liverpoolit

Virgil van Dijk është emëruar si kapiten i ri i Liverpoolit, pas largimit të Jordan Hendersonit.

Klubi anglez njoftoi këtë të hënë se prej sezonit të ardhshëm shiriti i kapitenit do t’i takojë mbrojtësit holandez.

Virgil van Dijk është kapiten edhe në Kombëtaren e Holandës.

Ndërkaq, pas largimit të James Milnerit, zëvendës-kapiten është emëruar Trent Alexander-Arnold.

“Është një ditë vërtet krenarie për mua, për gruan time, për fëmijët e mi, familjen time. Ka qenë një ndjenjë e veçantë dhe nuk mund ta përshkruaj në këtë pikë. Por, është diçka për të cilën jam vërtet krenar”, u shpreh van Dijk për faqen zyrtare të klubit anglez.

“Natyrisht që unë jam kapiten i Holandës, ky ishte tashmë një nder i madh, një moment krenarie gjithashtu. Por edhe të jesh kapiten i Liverpool Football Club është diçka që nuk mund ta përshkruaj në këtë pikë. Është diçka që më bën shumë krenar dhe do të bëj gjithçka në fuqinë time dhe çfarë mund të bëj për t’i bërë të gjithë krenarë dhe të lumtur me mua dhe klubin e futbollit”, shtoi ai.

Van Dijk ka regjistruar në total 222 paraqitje për Liverpoolin, që kur u transferua në “Anfield” nga Southamptoni, në janar të vitit 2018.

Gjatë kësaj periudhe, 32-vjeçari ka mbledhur shtatë medalje fituesish pasi ndihmoi “Të Kuqtë” të ngrinin trofeun e kampionit në Premierligë, Ligën e Kampionëve, Kupën FA, Kupën Carabao, Superkupën e Evropës, Kupën e Botës për Klube dhe Superkupën e Anglisë.

(Kosova Sot Online)