Kombëtarja e Kosovës kërkon të rindezë ëndrrën për kualifikim në EURO 2024, përballet me Rumaninë në udhëtim

  • E.K /
  • 12 September 2023 - 13:19
Kombëtarja e Kosovës kërkon të rindezë ëndrrën për kualifikim në EURO 2024, përballet me Rumaninë në udhëtim

Kombëtarja e Kosovës në futboll sot do ta zhvillojë takimin e radhës, ku për kundërshtarë do ta ketë Rumaninë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024, me ndeshjen në udhëtim që është jetike për të kuptuar se ‘Dardanët’ a do të jenë në gjendje të ëndërrojnë deri në fund.

‘Dardanët’ nuk e filluan këtë cikël kualifikues në mënyrën më të mirë të mundshme, duke humbur shumë pikë, por një pikë kthese mund të jetë barazimi në Fadil Vokrri tre ditë më parë ndaj Zvicrës, për të vazhduar ëndrrën drejt kualifikimit në EURO 2024.

Kundërshtari i sotëm i Kosovës është në vendin e dytë në grupin I, ku ka grumbulluar nëntë pikë në pesë ndeshje, dy më pak se Zvicra, që është lider. Kombëtarja jonë me katër pikë në vendin pestë, vetëm me fitore sot mund t’i mbajë gjallë shpresat për një kualifikim, ndonëse është shumë e vështirë.

Kujtojmë se përballja e parë mes Kosovës dhe Rumanisë në këtë cikël eliminator, u zhvillua në Fadil Vokrri dhe përfundoi me barazim 0:0, ku ‘Dardanët’ treguan shumë më shumë nga loja, por që tre pikët në fund ishin të paarritshme.

Kombëtarja e Kosovës mbetet në kërkim të fitores së parë, pasi në pesë ndeshjet e para të zhvilluara ka marrë katër barazime dhe një humbje. Tre pikë sot në udhëtim te Rumania janë më se të nevojshme për të shpresuar në kualifikim, në të kundërtën punët vështirësohen dhe më shumë.

Ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës zhvillohet me fillim nga ora 20:45 në Arena Nationale në shtetin rumun, ndërkohë në të po të njëjtin orar zhvillohen edhe dy ndeshjet tjera të grupit: Izrael – Bjellorusi dhe Zvicra – Andorra.

(Kosova Sot Online)