Mbappe do t’i bashkohet Real Madridit

  • A.P /
  • 10 October 2023 - 21:23
Mbappe do t’i bashkohet Real Madridit

E ardhmja e Kylian Mbappes vazhdon të jetë ende e paqartë.

Ylli francez po e kalon sezonin e tij të fundit me Paris Saint-Germainin, pasi kontrata e tij skadon në verën e vitit të ardhshëm

Deri më tani nuk ka ndonjë marrëveshje mes palëve për rinovim të kontratës, teksa në verën e këtij viti Mbappe kishte informuar klubin se nuk do të zgjasë qëndrimin e tij në “Parc des Princes”.

Në anën tjetër, kapiteni i Francës vazhdon të jetë i lidhur me një kalim në Real Madrid. Ai mund t’i bashkohet “Los Blancos” sezonin e ardhshëm si lojtar i lirë.

Se kjo lëvizje do realizohet beson edhe anëtari nga bordi i klubit të Real Madridit, Jose Manuel Otero.

Në një intervistë për “Remontada Blanca”, ai konfirmoi interesimin e madrilenëve dhe shpjegoi pse ky transferim nuk ndodhi verën e kaluar.

“Mbappe kishte, dhe nuk kishte, mundësinë për të ardhur në Madrid verën e kaluar. Për të ardhur, atij do t’i duhej të hiqte dorë nga bonuset shumë të larta të dhëna me PSG-në. Plus, do duhej të paguanit për një transferim. Shuma që do të duhej të paguhej për të pasur Mbappe ishte joproporcionale”, tha fillimisht Otero.

Tutje, ai shtoi: “Kam besim në ardhjen e tij. Ai do të arrijë lavdinë kur të arrijë në Real Madrid. Përndryshe do të endet… Do të fitojë një ditë Ligën e Kampionëve (në Madrid). Tani duket se PSG-ja është më pak e fuqishme se më parë, sepse nuk ka më lojtarë kaq të mirë. Real Madridi garanton siguri, seriozitet, që jep rezultate. Kam besim se ai do të thotë ‘Po’ pasi të jetë lojtar i lirë. Ai ka lindur për të luajtur për Real Madridin, kjo është e qartë”.

“Zidane erdhi në 29, Mbappe do të vijë në 25 ”, premtoi Otero, i cili pastaj tha: “Ai do të ketë shumë vite me ne. Nëse do të kishim bërë një hap të gabuar me Mbappe, PSG do të ishte përpjekur të reagonte kundër Real Madridit. Ne e dimë se çfarë mund të bëjmë dhe çfarë duhet të bëjmë. Nëse Mbappe vjen në vitin 2024 siç shpresoj, gjithçka do të bëhet siç duhet. Nuk mund të na akuzojë askush se kemi një pakt me të. Ajo që ata thanë vitin e kaluar, me Al-Khelaifi, i cili tha se kishte një marrëveshje me Real Madridin, është e rreme”.

Otero zbuloi gjithashtu se marrëdhënia midis Mbappe dhe Florentino Perez mbetet e mirë, pavarësisht se 24-vjeçari refuzoi një lëvizje te Real Madrid në verën e vitit 2022.

“Marrëdhënia mes Mbappes dhe Florentino nuk ka qenë kurrë e keqe. Florentino nuk e mori në rrugën e gabuar. Ai e kuptoi lojtarin. Kanë qenë më shumë tifozët që janë ndjerë të zhgënjyer. Real Madrid gjithmonë i ka lënë dyert hapur”, deklaroi ai. 

(Kosova Sot Online)