Fundjava sjell javën e 11-të në Superligën e futbollit

  • S.A /
  • 27 October 2023 - 12:41
Fundjava sjell javën e 11-të në Superligën e futbollit

Dy ndeshje të shtunën e tri të tjera të dielën janë në program në kuadër të xhiros së 11-të të Superligës në futboll. Java hapet me sfidën mes Prishtinës e Gjilanit. Kryeqytetasit në këtë përballje hyjnë me trajner të ri, pas largimit të Debatik Currit, transmeton "Kosova Sot Online".

Kryeqytetasit kërkojnë fitore në këtë ballafaqim, pasi nuk dinë për të tash e shtatë javë, derisa të kuqtë nga Gjilani kërkojnë fitoren e dytë radhazi.

Takimi i parë i luajtur mes tyre kishte përfunduar pa gola. Sa i përket tabelës, Prishtina ka 13 pikë, dy më shumë se Gjilani.

Të shtunën, Fushë Kosova e pret Malishevën, që paraqitet me trajner të ri. Në pesë sfidat e fundit, malishevasit kanë katër humbje, aq sa ka edhe Fushë Kosova. Në tabelë, Malisheva qëndron e pesta, derisa mbyllet nga Fushë Kosova. Malisheva e kishte deklasuar kundërshtarin në takimin e parë, 6:1. Dy skuadrat e para të tabelës, Ballkani e Drita priten të kenë përballje të lehta këtë javë, të paktën në letër. Suharekasit luajnë të dielën në udhëtim te Feronikeli 74, duke e kërkuar fitoren e tetë kampionale, karshi dy barazimeve. E në krahun tjetër, Nikli do të mundohet të shkaktojë befasi e të marrë rezultat pozitiv. Tabelës pra i prin Ballkani me 23 pikë, kurse Feronikeli është i teti me 11 pikë. Përballja e parë i kishte takuar therandasve bindshëm 2:0. Përcjellësi më i afërt i Ballkanit, Drita këtë javë luan në shtëpi ndaj Lirisë, për t’i hakmarrë për atë barazim pa gola në sfidën e parë. Të kaltrit nga Gjilani janë të dytit në tabelë me dy pikë më pak se ekipi i parë. Interesante e të dy ekipeve është se Drita ka pesë fitore radhazi, derisa Liria pesë humbje radhazi. Prizrenasit në tabelë janë të parafundit. Sfida e fundit luhet në Klinë, mes Dukagjinit e Llapit. Të besuarit e Tahir Batatinës do kërkojnë fitoren e dytë ndaj atyre të Armend Dallkut, në një terren tejet të vështirë. Sa i përket klasifikimit, llapjanët gjenden të tretit më 19 pikë, plot shtatë më shumë se klinasit të gjashtit. Të gjitha përballjet e kësaj jave të 11-të zhvillohen nga ora 13:00.

(Kosova Sot Online )