Mirlind Daku: Tani koha për atdheun Kuq e Zi

  • S.A /
  • 13 November 2023 - 11:55
Mirlind Daku: Tani koha për atdheun Kuq e Zi

Mirlind Daku e pati një fundjavë të suksesshme pasi kontribuoi në fitoren e Rubin Kazanit ndaj PFC Sochi në Premierligën ruse, transmeton "Kosova Sot Online ".

Futbollisti kosovar e shënoi njërin prej dy golave të ekipit të tij në fitoren 2:0.

E tash, përfaqësuesi shqiptar u është bashkuar Kuqezinjve për dy sfidat e rëndësishme të muajit nëntor, kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe.

“Ndjenjë e mirë që e ndihmova ekipin që ta arrijë një fitore të re. Tani koha për atdheun Kuq e Zi”, ka shkruar sulmuesi gjilanas në rrjetet sociale, ndërsa fotos ia ka përcjellë një figurë me flamur kombëtar.

Daku u bë sensacion tek Kuqezinjtë pasi e dha kontributin e tij në ndeshjet e shtatorit dhe të tetorit, teksa pritet të jetë pjesë e Shqipërisë në rast të kualifikimit në Euro 2024.

“Shqiponjat” janë shumë afër ta bëjnë një gjë të tillë dhe Daku shpreson të shkëlqejë dhe të shënojë edhe në ndeshjet e nëntorit për t’i dërguar Kuqezinjtë në Gjermani.

Pasi ishte injoruar nga Kombëtarja e Kosovës, ish-futbollisti i Ballkanit e zgjodhi Kombëtaren shqiptare, tek e cila u bë menjëherë protagonist dhe mjaft i dashur për tifozët.

(Kosova Sot Online )