Aliti i komplimenton futbollistët e rinj: Kanë bërë punë fantastike

  • S.A /
  • 13 November 2023 - 09:57
Aliti i komplimenton futbollistët e rinj: Kanë bërë punë fantastike

Fidan Aliti i ka komplimentuar futbollistët e rinj të Kombëtares së Kosovës, të cilët bënë paraqitje të shkëlqyeshme në fitoren e mbrëmshme me rezultat 1:0 ndaj Izraelit, transmeton "Kosova Sot Online ".

Në mungesës të disa lojtarëve të rëndësishëm, selektori Primoz Gliha ua dha rastin lojtarëve të rinj, kryesisht nga Superliga e Kosovës, të cilët e arsyetuan me paraqitje pozitive besimin që iu dha nga trajneri slloven.

Lumbardh Dellova dhe Ilir Krasniqi luajtën nga minuta e parë, ndërsa qendërmbrojtësi i “Dardanëve” insiston se, që të dy e kaluan testin dhe i përgëzoi për paraqitjen e mbrëmshme në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Iu takon një urim dhe një kompliment djemve të rinj që kanë ardhur për herë të parë. Kanë bërë punë fantastike. Është dashur t’i dirigjoj dy lojtarët tjerë të mbrojtjes. Komplimente për ta, kanë bërë lojë fantastike”, u shpreh fillimisht 30 vjeçari.

Sipas tij, loja kompakte dhe angazhimi i të gjithëve, duke e bërë një lojë kolektive dhe duke luajtur për njëri-tjetrin, në fund solli fryt derisa Kosova e regjistroi fitoren e dytë rresht.

“Terreni ishte i njëjtë për të dy palët. Nuk kemi rrezikuar shumë dhe e kemi ditur që kemi Vedatin përpara. Në këtë terren shihet karakteri i ekipit dhe këtë e dëshmuam. Luftuam për njëri-tjetrin”, përfundoi futbollisti i Alanyasporit.

Kosova i ka 10 pikë në Grupin I të kualifikimeve për Euro 2024, ndërsa Aliti u shpreh se ai me shokë janë të gatshëm për sfidën e radhës, atë ndaj Zvicrës, e cila do të luhet këtë të shtunë. 

(Kosova Sot Online )