Protesta të dhunshme në Bullgari pasi Kombëtarja dështoi të kualifikohej në Euro 2024, kërkohet dorëheqja e krerëve të Federatës

  • S.A /
  • 23 November 2023 - 10:51
Protesta të dhunshme në Bullgari pasi Kombëtarja dështoi të kualifikohej në Euro 2024, kërkohet dorëheqja e krerëve të Federatës

Kombëtarja bullgare dështoi edhe në një kampanjë kualifikuese për t’u kualifikuar në një garë të madhe të futbollit. Bullgarët përfunduan në vendin e fundit në Grupin G të eliminatoreve për Euro 2024 me 4 barazime e 4 humbje, transmeton "Kosova Sot Online ".

Dhe, duket se në këtë shtet është mbushur kupa dhe tifozëve iu ka humbur durimi pas dështimeve të njëpasnjëshme, shkruajnë mediat bullgare.

Dështimi i fundit i ka shtyrë bullgarët të organizojnë protestë, e cila u shndërrua e dhunshme pas përleshjes së protestuesve me policinë pak ditë më parë.

Demonstruesit e kërkuan dorëheqjen e drejtuesve të lartë të futbollit bullgar.

Protestuesit u mblodhën jashtë stadiumit “Vassil Levski” në qendër të Sofjes për të protestuar kundër udhëheqësisë së Federatës Bullgare të Futbollit (BFS), e udhëhequr nga presidenti Boruslav Mihailov.

Mihailov është një ish-portier dhe kapiten i ekipit kombëtar gjatë suksesit më të madh në histori kur kjo Kombëtare kishte shkuar deri në gjysmëfinale të Kupën së Botës 1994 në SHBA.

Ai u emërua president i Federatës Bullgare që nga viti 2005 dhe që atëherë, futbolli në Bullgari ka rënë, me kombëtaren që nuk arriti të kualifikohej në finalet e ndonjë kampionati madhor deri tash.

Protestuesit e akuzojnë Federatën Bullgare të Futbollit për keqmenaxhim, korrupsion, mungesë transparence dhe refuzim të vazhdueshëm për të marrë përgjegjësi.

Ata brohorisnin “Dorëheqje”, “Poshtë BFS” dhe “Mihailov jashtë” dhe mbanin banera që e kontestonin udhëheqësinë e Federatës dhe presidentin e saj.

Ajo që nisi si një protestë paqësore u përkeqësua shpejt pasi tifozët e gjuajtën me gurë policinë dhe ua vunë flakën automjeteve, përfshirë këtu edhe një autobusi policie.

Gjithashtu raportohet për dhunë policore ndaj protestuesve paqësorë.

Thuhet se 1600 policë janë mobilizuar për ta ruajtur rendin gjatë protestave.

Ndërkohë që protestat vazhdonin, policia lëshoi disa paralajmërime për protestuesit, por ato nuk u morën parasysh.

Autoritetet më pas përdorën mjete të ndryshme efikase për të larguar të pranishmit nga stadiumi.

Në pamjet e kapura nga televizione të ndryshme, përleshjet vazhduan dhe qytetarët rriheshin dhe arrestoheshin nga policia.

Janë plagosur disa oficerë policie, si dhe shumë protestues. Dhjetëra të tjerë u arrestuan.

“Pas kaq shumë gjaku të derdhur, largohu”, shkruan në profilin e tij në Facebook, ish-kryeministri dhe lideri i partisë GERB, Bojko Borisov, duke e kërkuar dorëheqjen e Mihailov.

Gazetarët bullgarë që po e mbulonin protestën thanë se “nuk kishin parë kurrë diçka të tillë”. 

(Kosova Sot Online )