Santos bie nga liga për herë të parë në historinë 111 vjeçare, tifozët shkaktojnë trazira në qytet

  • S.A /
  • 07 December 2023 - 10:02
Santos bie nga liga për herë të parë në historinë 111 vjeçare, tifozët shkaktojnë trazira në qytet

Ish-klubi i legjendarit Pele, Santos, ka rënë nga liga për herë të parë në historinë e tij 111 vjeçare, transmeton "Kosova Sot Online ".

Klubi i madh brazilian ra nga liga pas humbjes së pësuar mbrëmë me rezultat 1:2 nga Fortaleza në xhiron e fundit të Serie A braziliane.

Santosi ishte njëri prej tre klubeve, së bashku me Sao Paolo e Flamengo, që nuk kishte rënë kurrë nga liga elitare braziliane, shkruan “Reuters”.

Por, kjo i ndodhi tash pas një serie prej pesë ndeshjesh pa fitore, për të përfunduar në pozitën e 17-të me 43 pikë, të pamjaftueshme për të mbetur në ligë.

America Mineiro, Coritiba e Goias ishin tri skuadrat tjera nga 20 sa i ka kjo ligë, që ranë në një nivel më të ulët garash.

E këtë rënie nga liga më së rëndi e përjetuan tifozët e Santosit, të cilët shkaktuan trazira në qytet duke kallur vetura dhe duke thyer lokale dhe çfarëdo që iu dilte përpara.

Në stadium ndërkohë u panë shumë tifozë me lot në sy pasi s’mund ta imagjinojnë ekipin e tyre të zemrës, ku kishte luajtur edhe braziliani Neymar, duke rënë nga liga.

(Kosova Sot Online )