Juventus e refuzon ftesën e Al-Khelaifit

  • A.P /
  • 08 December 2023 - 17:58
Juventus e refuzon ftesën e Al-Khelaifit

Juventusi këmbëngul se ata nuk janë të interesuar të ribashkohen me Shoqatën Evropiane të Klubeve (ECA) pavarësisht ftesës së presidentit të Paris Saint-Germainit, Nasser Al-Khelaifi.

Juventusi u largua nga ECA në vitin 2021 pasi iu bashkua të ashtuquajturës “Superliga Evropiane”, një projekt që ata kishin kontribuar në krijimin së bashku me gjigantët nga La Liga; Real Madrid dhe Barcelona.

Ish-kryetari i klubit italian, Andrea Agnelli, kishte dhënë dorëheqjen si President i ECA-së kur u shpall projekti i Superligës Evropiane dhe u zëvendësua nga Al-Khelaifi.

Megjithatë, projekti i Superligës nuk zgjati shumë pasi 48 orë pas njoftimit zyrtar, të pesë klubet e ftuara nga Premierliga u tërhoqën, vendim që u ndjek pastaj nga Atletico Madrid, Milan dhe Inter.

Juventus u largua gjithashtu verën e kaluar, duke lënë Real Madridin dhe Barcelonën si dy klubet e vetme që ende zyrtarisht janë të përfshira në atë projekt.

Sidoqoftë, Juventusi ende nuk e ka ndryshuar mendjen për përfshirjen e tyre në ECA pasi nuk po shqyrton ribashkimin në Shoqatën e Klubeve Evropiane.

“Juventus FC nuk po vlerëson mundësinë për t’u ribashkuar në ECA për momentin”, tha zyra e shtypit e klubit në një përgjigje përmes emailit për “Reuters”.

Deklarata e shkurtër e Juventusit erdhi pas një ftese jo-zyrtare nga ECA dhe kryetari i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, i cili kishte folur me gazetarët pas një takimi të bordit të ECA-së në Kopenhagë të enjten.

“Nëse ata [Juventusi] ndalojnë atë për të cilën po përpiqen të luftojnë, gjë që unë mendoj është një projekt ‘budalla’, ata janë gjithmonë shumë të mirëpritur. Unë fola me pronarin dhe, e dini, ai më thirri dhe mendoj se ata duan të kthehen. Ata janë padyshim shumë të mirëpritur”, kishte deklaruar Al-Khelaifi. 

(Kosova Sot Online)