Viti 2024 nis mbarë për sulmuesit e Kombëtares shqiptare, shënojnë Uzuni, Broja dhe Manaj

  • S.A /
  • 08 January 2024 - 11:48
Viti 2024 nis mbarë për sulmuesit e Kombëtares shqiptare, shënojnë Uzuni, Broja dhe Manaj

Legjionarët kuqezi e kanë nisur vitin 2024 në mënyrën më të mirë të mundshme, duke qenë protagonistë në klubet e tyre dhe duke shënuar gola tepër të rëndësishëm, transmeton "Kosova Sot Online ".

Myrto Uzuni ishte i pari që gjeti rrugën e rrjetës me skuadrën e tij, Granada.

Sulmuesi i Kombëtares e nisi si titullar dhe realizoi golin e parë të sfidës në minutën e 22-të në fitoren 2-0 ndaj Cadiz.

Protagonist ishte edhe Armando Broja me Chelsean. Blutë e Londrës fituan me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Preston, ndeshje e vlefshme për FA Cup dhe Broja hapi serinë e golave.

Sulmuesi kuqezi u aktivizua si titullar dhe gjeti rrugën e rrjetën në minutën e 58-të.

Broja zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë dhe i shkoi shumë pranë golit edhe në dy raste të tjera, teksa u ndal edhe nga tranversa.

Rey Manaj vijon me formën fantastike. Ai ishte sërish protagonist, këtë herë në sfidën Kayserispor – Sivasspor, që përfundoi 1-3.

Manaj shënoi dy gola në minutat 90+3 dhe 90+6, duke i dhuruar fitoren skuadrës së tij.

Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Thomas Strakosha, Ardian Ismajli, Ivan Balliu, Berat Gjimshiti dhe Ylber Ramadani, ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues edhe Frederic Veseli, Keidi Bare dhe Nedim Bajrami.

(Kosova Sot Online )