Të premten nis Grand Slami i Parisit në xhudo, Kosova paraqitet me tetë garues

  • S.A /
  • 31 January 2024 - 13:54
Të premten nis Grand Slami i Parisit në xhudo, Kosova paraqitet me tetë garues

Nga 2 deri më 4 shkurt do të mbahet Grand Slami i Parisit në xhudo, transmeton "Kosova Sot Online ".

Në këtë garë prestigjioze, do të paraqitet edhe Kosova me tetë garues. Vjet Kosova ishte përfaqësuar në Paris me pesë xhudistë, teksa këtë vit trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka vendosur të marrë pjesë me plot tetë xhudistë.

Në krye të ekipit të Kosovës do të jenë kampionet olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Po ashtu do të garojnë edhe xhudistet Laura Fazliu, Loriana Kuka dhe Flaka Loxha, si dhe xhudistët Akil Gjakova, Dardan Cena e Shpati Zekaj.

Distria, Nora, Laura, Akili e Loriana vlerësohen me potencial të madh për medalje..

Distria Krasniqi është bartësja e parë në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa për të artën pritet të luftojë me xhudiste si italiania Odette Giuffrida, britanikja Chelsie Giles e izraelitja Gefen Primo.

Nora Gjakova është bartësja e gjashtë në kategorinë deri 57 kilogramë, ku konkurrenca është e jashtëzakonshme. Kanadezet Christa Deguchi dhe Jessica Klimkait janë bartëset një e dy.

Laura Fazliu është bartësja e dytë në kategorinë deri 63 kilogramë, menjëherë pas kanadezes Catherine Beauchemin-Pinard. Ikona franceze, Clarisse Agbegnenou, vlerësohet me potencial për të shkuar deri në finale në këtë kategori.

Xhudistët e tjerë të Kosovës nuk janë në mesin e bartësve. Në ditën e parë të garave, të premten, do të garojnë Distria, Nora e Flaka Loxha.

(Kosova Sot Online )