Serie A të reduktohet në 18 klube?

  • S.A /
  • 10 February 2024 - 09:22
 Serie A të reduktohet në 18 klube?

Juventusi, Milani dhe Interi raportohet se po shtyjnë përpara kërkesën e tyre për të reduktuar Serie A nga 20 në 18 klube. Ditëve të fundit u tha se tri klubet e mëdha italiane po bashkoheshin për të mbështetur planin, i cili fillimisht u propozua nga presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë (FIGC), Gabriele Gravina, transmeton "Kosova sot Online ".

Tani, sipas agjencisë së lajmeve “ANSA”, sot përfaqësues nga Juventusi, Milani dhe Interi u takuan me Gravinan në selinë e Federatës, për t’i propozuar që të punojnë së bashku për këtë.

Të pranishëm në takim ishin CEO i Interit, Beppe Marotta, menaxheri i përgjithshëm i Juventusit, Maurizio Scanavino, dhe drejtori Francesco Calvo, si dhe presidenti i Milanit, Paolo Scaroni, në një video-konferencë. Ata thuhet se u përballen me kundërshtime të ashpra, pasi Lega Serie A tashmë ka paralajmëruar se do të luftojë idenë e reduktimit të numrit të klubeve në elitën e futbollit të Italisë. Do të ishte një rikthim në sistemin e vjetër, pasi Serie A kishte 18 klube derisa u zgjerua në 20 në sezonin 2003/04. Kjo shihet si një mënyrë për të reduktuar listën e plotë të ndeshjeve dhe për ta bërë Serie A më konkurruese në përgjithësi, duke ngritur nivelin e cilësisë. 

(Kosova Sot Online )