Inter – Atletico, sonte derbi i natës në Champions

  • S.A /
  • 20 February 2024 - 11:33
Inter – Atletico, sonte derbi i natës në Champions

Liga e Kampionëve do të rikthehet sonte me dy ndeshje të tjera të së tetës së finales, transmeton "Kosova Sot Online ".

Pa dyshim, dueli i sontëm kryesor do të jetë ai mes Interit dhe Atletico Madridit. Nerazzurri do të mundohen ta shfrytëzojnë formën e jashtëzakonshme që po e kalojnë në Itali për ta siguruar një rezultat të favorshëm në duelin e parë që do ta luajnë në shtëpi.

Ata prijnë në Serie A dhe po shkojnë me hapa të sigurt drejt titullit të kampionit të Italisë. Zikaltrit e kanë një seri prej tetë fitoresh radhazi dhe nuk kanë humbur që nga Krishtlindjet. Edhe pse e mbyllën fazën e grupeve në pozitën e dytë, italianët sivjet duken më të fortë se në edicionin e kaluar dhe synojnë ta fitojnë Championsin. Nga ana tjetër, Diego Simeone do të rikthehet në “Giuseppe Meazza” ku luajti për një kohë, tash në pozitën e trajnerit. “Los Colchoneros” vijnë nga fitorja e thellë 5:0 ndaj Las Palmas, e cila i dha fund serisë prej tri ndeshjesh pa fitore. Interi konsiderohet si favorit i lehtë, por në fazën eliminuese nuk i dihet kurrë. Është e vështirë të besohet, por këto dy ekipe janë përballur vetëm një herë mes vete, në Superkupën e Evropës në vitin 2010. Në atë natë, Jose Antonio Reyes e Sergio Aguero kishin shënuar për t’ia dhënë Atleticos fitoren 2:0 në ndeshjen e luajtur në Monaco. Ekipet nuk kanë mungesa të theksuara dhe sonte na pret një spektakël i futbollit. Ndeshja mes Interit dhe Atletico Madridit do të nisë në orën 21:00. Në duelin tjetër të natës do të ballafaqohen PSV Eindhoven me Borussia Dortmundin. Holandezët ishin të suksesshëm në fazën e grupeve duke përfunduar prapa liderit Arsenal. Kurse, gjermanët shkëlqyen në “grupin e vdekjes” me Paris Saint-Germainin, Milanin e Newcastlen. Edhe kjo përballje pritet të jetë mjaft interesante, me gjermanët favoritë të lehtë në letër.

(Kosova Sot Online )