Guardiola e mbron Haalandin

  • A.P /
  • 03 April 2024 - 13:53
Guardiola e mbron Haalandin

Pep Guardiola e ka mbrojtur futbollistin e tij, Erling Haaland, i cili ka përfunduar në qendër të kritikave kohëve të fundit.

Sulmuesi norvegjez ka dështuar të shënojë siç ishim mësuar, prandaj edhe kritikët i janë vërsulur atij.

Sidoqoftë, trajneri i Manchester Cityt i ka dalë në krahë ish-futbollistit të Salzburgut dhe të Borussia Dortmundit, duke insistuar se mungesa e golave të “Citizens” s’është faj i përfaqësuesit norvegjez.

“Arsyeja se përse nuk krijuam raste të mjaftueshme ndaj Arsenalit nuk është Erling. Ne duhet të kemi më shumë prezencë në fazën finale të sulmit, me më shumë lojtarë. Ne e bëmë një lojë të mirë, por nuk patëm njerëz në treshen finale. Mirëpo, Haaland është i jashtëzakonshëm”, deklaroi fillimisht trajneri spanjoll në konferencë për shtyp.

Ai iu përgjigj edhe ish-futbollistit Roy Keane, i cili dje tha se Haaland ishte një lojtar i “League Two”, respektivisht niveli i katërt i futbollit anglez.

“Nuk pajtohem me të, absolutisht jo. Ai është sulmuesi më i mirë në botë dhe na ka ndihmuar në ato që i fituam sezonin e kaluar. Ai është i hatashëm”, shtoi Pep.

“Jam i befasuar kur këto kritika vijnë nga ish-lojtarët. Gazetarët i kuptoj, por ish-futbollistët… jam i befasuar!”, nënvizoi ai.

“Është sikur ish-gjyqtarët t’i kritikojnë gjyqtarët. Memoria zhduket shpejt”, tha ai tutje.

(Kosova Sot Online)