Shpendi i zhgënjyer për faktin se nuk u grumbullua nga trajneri Silvinjo

  • A.P /
  • 28 November 2024 - 11:16
Shpendi i zhgënjyer për faktin se nuk u grumbullua nga trajneri Silvinjo

Sulmuesi shqiptar, Cristian Shpendi, ka mbetur i zhgënjyer për faktin se nuk u grumbullua nga trajneri Silvinjo në Kombëtare, për dy ndeshjet e nëntorit në Ligën e Kombeve.

Në një intervistë të dhënë për “Pianeta Bianconero”, 21-vjeçari deklaroi se priste ftesë nga Shqipëria, e cila nuk i erdhi.

Ndër të tjera, ai theksoi se nëse Italia do t’i bënte një ftesë në të ardhmen, do e mendonte.

“Te them të vërtetën, mendova se do të ftohesha nga Kombëtarja shqiptare për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve. U zhgënjeva kur e pashë që nuk isha në listë. Unë kam lindur dhe jam rritur në Itali. Një telefonatë nga Italia nuk më ka ardhur kurrë, por nëse vjen, sigurisht që do e mendoja”, tha ai.

I pyetur për merkaton, Shpendi deklaroi se fokusi i tij është vetëm te Cesena, ndërsa shtoi se nuk shqetësohet nga lajmet që qarkullojnë.

“Kam lexuar lajmet që qarkullojnë për mua. Mund t’ju siguroj se nuk di asgjë fare, janë thjesht thashetheme që nuk më shqetësojnë, mendoj për Cesenën dhe e di që të vazhdoj këtu është rruga e duhur, ndonëse nuk më takon mua të marr vendime të caktuara”, deklaroi Shpendi.

Sulmuesi 21-vjeçar është golashënuesi më i mirë i Serie B këtë sezon, me nëntë gola të shënuar në 13 ndeshje.

(Kosova Sot Online)