
Guardiola jep përditësime për gjendjen e skuadrës

Manchester City vazhdon të jetë i përfshirë në një garë të çmendur në Premier League për të siguruar një vend në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Një ditë përpara ndeshjes delikate ndaj Evertonit, ndërsa Newcastle do të luajë njëkohësisht në transfertë kundër Aston Villas, trajneri Pep Guardiola ka dhënë përditësime mbi gjendjen e skuadrës së tij.
Sipas Guardiolës, Phil Foden dhe Manuel Akanji janë rikthyer në stërvitje këtë javë dhe do të vendoset më vonë gjatë ditës nëse do të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj Evertonit. Mbrojtësi zviceran nuk ka luajtur që nga lëndimi i pësuar në sfidën e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Real Madridit, më shumë se dy muaj më parë. Nga ana tjetër, mesfushori anglez u dëmtua në derbin e Manchesterit në ‘Old Trafford’ në fillim të muajit dhe mungoi në fitoren 5-2 kundër Crystal Palace fundjavën e kaluar.
“Phil është rikthyer dje dhe do të marrë pjesë në stërvitjen e sotme pas incidentit në ‘Old Trafford’. Edhe Manu është stërvitur dy ose tri herë me ne. Po e shoh duke lëvizur shumë mirë," deklaroi Guardiola.
Në anën tjetër, "qytetarët" do të duhet të bëjnë pa portierin Ederson, i cili është ende duke u rikuperuar nga një dëmtim muskulor. “Nuk është gati për nesër. Nuk e di kur do të jetë. Për këtë ndeshje nuk do të jetë i disponueshëm.”
Sa i përket rikuperimit të Erling Haaland, Guardiola ishte i qartë: “As ai nuk është duke u stërvitur. Nuk do të jetë gati për ndeshjet e ardhshme.” Ndërkohë, për John Stones dhe Nathan Aké, rikthimi i tyre do të duhet të presë edhe pak. “Janë duke u përmirësuar, por ende nuk janë gati.”
Në këtë fazë kritike të sezonit, çdo rikuperim është jetik për City-n në përpjekjen për të siguruar një vend në top-katërshen e Premier League.
(Kosova Sot Online)