Xabi Alonsos është zyrtarisht trajner i ri i Real Madridit

  • A.P /
  • 26 May 2025 - 14:06
Xabi Alonsos është zyrtarisht trajner i ri i Real Madridit

Është dita e prezantimit të Xabi Alonsos.

Ish-trajneri i Bayer Leverkusenit është bërë edhe zyrtarisht trajner i ri i Real Madridit.

Ish-futbollisti i njohur spanjoll i ka dhënë edhe fjalët e para si trajner i ri i “Los Blancos”, ndërsa u shpreh entuziast për eksperiencën e re.

“Mirdita të gjithëve. Pa dyshim, për mua kjo është një ditë mjaft speciale, një ditë që do ta shënoj në kalendari për krejt jetën time. Jam vërtetë i lumtur që jam këtu, në atë që e konsideroj si shtëpinë time. Lidhja me Real Madridin nuk është zbehur kurrë. Që kur kam hyrë në Valdebebas një orë e gjysmë më parë, ajo ndjenjë është rilindur tek unë”, deklaroi fillimisht Alonso në prezantimin e tij.

“E kam ndjenjën se ky është një fillim i një epoke të re. Florentino, të falënderoj sinqerisht për krejt besimin që ma dhe. Besoj se tifozët e Real Madridit janë entuziastë për ta përqafuar këtë fazë të re, që të rritemi dhe ta bëjmë historinë e këtij klubi edhe më të madhe. Një falënderim i madh shkon edhe për familjen time, e cila gjithmonë është në krahun tim”, nënvizoi tutje ai.

“Para se të filloj e të flas për këtë aventurë të re, dua ta kujtoj një fazë që sapo u mbyll. Carlo Ancelotti ka qenë trajner imi, një person fantastik me një influencë të madhe. Pa këshillën e tij ndoshta nuk do të isha këtu. Do ta marr postin e tij dhe do ta çoj përpara trashëgiminë e tij me nder dhe me krenari të madhe. Shpresoj që të jem në lartësinë e pritshmërive dhe ta dërgoj këtë klub ku besojmë se mund të arrijmë”, shtoi Alonso.

“Po hyjmë në një epokë të re dhe ndiej se klubi dhe tifozët janë të bashkuar. E kemi një skuadër fantastike, me lojtarë të jashtëzakonshëm dhe me një potencial të madh. Kjo më jep motiv për të qenë këtu me aq shumë energji dhe entuziazëm. Jemi të bindur se mund të arrijmë objektiva të rëndësishëm, të denjë për Real Madridin dhe për Kupat e Kampionëve të tij”, thotë ish-përfaqësuesi spanjoll.

“Duam t’i bëjmë tifozët krenarë, që të transmetojmë emocione dhe gëzim. Duam që njerëzit të vijnë në stadium për t’u zbavitur. Nëse ia dalim që ta arrijmë këtë pasion, do të kemi forcë të pandalshme. Jemi të sigurt se mund të arrijmë gjëra të mëdha. Faleminderit një mijë herë. Hala Madrid!”, përfundoi Alonso. 


(Kosova Sot Online)