Flick i konfirmon shqetësimet me lëndimet e Lamine Yamalit
Barcelona rikthehet në aksion të dielën, teksa pret Elchen në La Liga, dhe një pjesë e madhe e vëmendjes do të jetë te Lamine Yamal.
Sensacioni adoleshent nuk ishte në formën e tij më të mirë në “El Clasico”, ndaj do të kërkojë të rikthehet te performancat e mira në “Estadi Olímpic Lluís Companys”.
Pritet që Lamine Yamal të mbetet në formacionin bazë, megjithëse nuk është 100% i gatshëm.
Më herët gjatë javës u raportua se ai ende po vuan nga shqetësimet e lidhura me dëmtimin në pubis, prej të cilit është rikthyer së fundmi – diçka që është konfirmuar edhe nga trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes.
Gjermani foli edhe për mënyrën se si po përpiqet ta rikthejë yllin e tij të ri në nivelin më të mirë.
“Ai është mirë, kam folur me të. Ka disa ditë që ndien shqetësime dhe dhimbje, por po punon fort dhe është përmirësuar. Po evoluon mirë. Ne flasim shpesh me të, në mënyrë normale. Jemi shumë të sinqertë mes nesh dhe kështu funksionon më mirë. Gjithmonë do ta mbroj dhe ndihmoj. Është një djalë i ri, fantastik, dhe do të vazhdojmë në të njëjtin drejtim”, tha Flick.
Trajneri u pyet gjithashtu nëse ka menduar ta përdorë Lamine Yamalin në një pozicion më qendror në fushë, në vend se vetëm në krahun e djathtë.
Përgjigjja e tij tregoi se janë të nevojshme ndryshime të vogla, jo të mëdha.
“Tani për tani, mënyra më e mirë për ta rikthyer në formën e tij më të mirë është në pozicionin ku luan zakonisht. Në disa situata ose ndeshje është mirë të mos luajë gjithmonë në krahë, por edhe më në qendër. Ai është një lojtar i madh dhe mund të jetë shumë i gjithanshëm. Për të, më e rëndësishmja është të prekë topin – kur e ka topin, atëherë mund të krijojë gjëra të mira”, përfundoi ai.
(Kosova Sot Online)
