Rashford ka marrë tre detyra kryesore nga trajneri i Barcelonës
Marcus Rashford ka marrë tre detyra kryesore nga trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, të cilat mund të ndikojnë nëse klubi do ta blejë përfundimisht kartonin e tij.
I përjashtuar nga skuadra e fëmijërisë së tij, Manchester United, Rashford iu bashkua Barcelonës në formë huazimi dhe po shijon një periudhë të mirë në Katalonjë, me gjashtë gola dhe nëntë asiste në të gjitha kompeticionet.
Në fitoren 4-2 të Barçës ndaj Celta Vigo-s në La Liga të dielën, Rashford regjistroi dy asiste, ndërsa Robert Lewandowski realizoi një hat-trick spektakolar.
Megjithëse humbi një rast të mirë për të shënuar golin e dytë, Rashford kontribuoi me dy pasime vendimtare dhe është plot vetëbesim përpara pauzës ndërkombëtare me Anglinë.
Megjithatë, pavarësisht formës së mirë, Flick dhe stafi teknik i Barcelonës nuk po e lejojnë Rashfordin të qetësohet dhe i kanë kërkuar atij përmirësime në disa aspekte të lojës.
Sipas një raporti të posaçëm të SPORT, klubi katalanas — i cili ka opsionin ta blejë përfundimisht për 26 milionë paund — i ka vënë Rashford tre objektiva kryesorë:
Të marrë pjesë me intensitet të lartë në presingun kolektiv të skuadrës.
Të kthehet shpejt për të ndihmuar mbrojtësin e majtë, veçanërisht në fazat mbrojtëse.
Të ruajë disiplinën taktike në krahun e majtë, duke u përshtatur me rolin e lirë që ka Lamine Yamal në anën tjetër.
Këto janë fusha ku Rashford shpesh ka pasur vështirësi, por stafi i Barcelonës po punon me të për t’i zhvilluar këto zakone, në mënyrë që të jetë më i dobishëm për skuadrën.
Raphinha, i cili pati një sezon të shkëlqyer vitin e kaluar, pritet të rikthehet pas pauzës ndërkombëtare për të rivalizuar Rashfordin, i cili mund të luajë edhe në qendër të sulmit.
Megjithatë, trajnerët duan që mënyra e lojës të mbetet e njëjtë pavarësisht se kush luan, sidomos për të koordinuar lëvizjet me mbrojtësin ofensiv Alejandro Balde në krahun e majtë.
Fitorja ndaj Celtës erdhi vetëm një ditë pasi Real Madridi barazoi 0-0 me Rayo Vallecano, duke bërë që Barcelona të afrohet në tre pikë nga kryesuesit pas 12 javësh.
Flick u shpreh shumë i kënaqur me fitoren dhe me mënyrën si skuadra reagoi në pjesën e dytë:
“E vlerësoj shumë atë që pashë sot,” tha Flick.
“Në pjesën e parë bëmë disa gabime, më shumë se në të dytën, dhe ata i shfrytëzuan. Por edhe në pjesën e parë e kontrolluam ndeshjen. Ishte një ndeshje shumë e mirë me topin, dhe në pjesën e dytë mbrojtëm shumë më mirë.
Kjo pjesë e dytë na jep besim për ndeshjet e ardhshme. Kur mund të ushtron presion mbi kundërshtarin, është një mënyrë e mirë loje. Ne e bëmë këtë dhe më pëlqeu shumë ajo që pashë.”
(Kosova Sot Online)
