Real Madridi ka siguruar kualifikimin në fazën tjetër të Kupës së Mbretit
Real Madridi ka siguruar kualifikimin në fazën tjetër të Kupës së Mbretit, pasi mposhti Talaveran në udhëtim me rezultat 3-2, në një ndeshje më të vështirë sesa pritej për “Los Blancos”.
Skuadra madrilene e nisi ndeshjen në sulm, duke krijuar disa raste të pastra në pjesën e parë, por portieri vendas Jaime Gonzalez u tregua në formë të shkëlqyer me disa pritje vendimtare.
Zhbllokimi i rezultatit erdhi në minutën e 41-të, kur Kylian Mbappé realizoi nga penalltia, një vendim i diskutueshëm që nuk u rishikua për shkak të mungesës së VAR-it.
Vetëm pak minuta më vonë, francezi shkëlqeu sërish duke depërtuar në zonë dhe duke goditur drejt portës; pas një devijimi nga mbrojtësi Fernando, topi përfundoi në rrjetë për rezultatin 2-0.
Në pjesën e dytë, Talavera nuk u dorëzua dhe ngushtoi shifrat në minutën e 80-të me golin e Nahuel Arroyo, duke rikthyer emocionet në ndeshje.
Kur vendasit po shtonin presionin, Mbappé kompletoi paraqitjen e tij të shkëlqyer duke shënuar golin e tretë për Real Madridin, duke i dhënë frymëmarrje ekipit të tij.
Megjithatë, Talavera shënoi sërish në kohën shtesë me Gonzalo Ignacio Di Renzo, për 3-2, dhe ishte pranë barazimit në aksionet e fundit. Një pritje vendimtare e Andriy Lunin ruajti epërsinë dhe i siguroi Real Madridit kalimin tutje.
Pavarësisht vështirësive, madrilenët arritën objektivin dhe vazhdojnë rrugëtimin në Kupën e Mbretit.
(Kosova Sot Online)
