City shprehet i gatshëm t’ia shesë në janar Barçës njërin prej yjeve

  • A.P /
  • 25 December 2025 - 15:45
City shprehet i gatshëm t’ia shesë në janar Barçës njërin prej yjeve

Barcelona mund ta gjejë në Premierligë përforcimin e shumëpritur të mbrojtjes në afatin kalimtar të janarit.

Sipas mediumit “Fichajes”, Manchester City ua ka propozuar “Blaugrana” opsionin Nathan Ake, mbrojtësin holandez të lindur në vitin 1995, si opsion për ta përforcuar repartin defanziv në fazën më delikate të sezonit.

Ake ka gjetur hapësira më pak se që pritej në rotacionet e Pep Guardiolës, i penalizuar nga një konkurrencë mjaft e ngjeshur në paketën defanzive të “Citizens”.

Ndonëse mbetet një element i rëndësishëm dhe i vlerësuar në dhomat e zhveshjes së “Qytetarëve”, roli i tij shpesh ishte i një alternative dhe e luksit sesa e një titullari.

Në këtë sezon i ka zhvilluar 13 ndeshje në përgjithësi me më shumë minuta që kanë ardhur në kupat nacionale sesa në Premierligë.

Përkundër kësaj, vlera e tij mbetet e certifikuar në nivelin ndërkombëtar: Ake ka luajtur më shumë ndeshje si titullar me Kombëtaren e Holandës sesa me Cityn në kampionat, një shenjë e qartë që në Angli ai po has në vështirësi për ta gjetur vazhdimësinë.

Barcelonës i nevojitet një lojtar me karakteristika të tij pasi mund të luajë si qendërmbrojtës dhe si mbrojtës i majtë.

Mungesat e Araujo, Christensen e Kounde në fakt e kanë reduktuar në maksimum rotacionin “Blaugrana”, derisa skuadra është në garë të plotë me Real Madridin për titull të kampionit në La Liga.

Ake ka kontratë me Cityn deri në vitin 2027, por pikërisht kjo kohëzgjatje mund ta favorizojë gjigantin kataluanas pasi lojtari me gjasë s’do ta vazhdojë kontratën me anglezët dhe mund të shitet në muajin që po vjen.

Si 30-vjeçar, mbrojtësi mund të ishte një opsion i mirë i një lojtari me përvojë, në një ekip me plot rini. 

(Kosova Sot Online)