Mourinho e mohon videon me fanellën e Realit

  • A.P /
  • 04 June 2026 - 13:30
Mourinho e mohon videon me fanellën e Realit

José Mourinho i ka sqaruar polemikat e krijuara pas publikimit të një videoje ku ai shfaqej me fanellën e Real Madridit duke e mbështetur kandidaturën e Florentino Perezit për president të klubit madrilen.

Sipas raportimeve nga Portugalia, trajneri portugez i ka kontaktuar drejtuesit e Benficës për t’i informuar se videoja nuk është regjistruar prej tij, por është krijuar me anë të Inteligjencës Artificiale (AI).

 

Videoja u publikua nga fushata elektorale e Florentino Perezit dhe u interpretua si një konfirmim se Mourinho do të rikthehet në bankinën e Real Madridit në rast se Perez i fiton zgjedhjet presidenciale.

Megjithatë, pavarësisht mohimit të videos, mediat spanjolle dhe portugeze raportojnë se rikthimi i “Special One” në “Santiago Bernabeu” mbetet shumë i mundshëm.

Real Madridi thuhet se i ka njoftuar tashmë drejtuesit e Benficës se është i gatshëm t’i paguajë rreth 15 milionë euro për ta liruar trajnerin nga kontrata e tij aktuale.

Mourinho është i lidhur me Benficën deri në vitin 2027, ndërsa kalimi i tij te Real Madridi varet edhe nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen së shpejti në klubin spanjoll.

Nëse marrëveshja finalizohet, kjo do të jetë aventura e dytë e portugezit në krye të “Los Blancos”, pas periudhës 2010-2013. 

(Kosova Sot Online)