Messi është shpallur fitues i çmimit prestigjioz 'Princesa de Asturias'

  • A.P /
  • 03 June 2026 - 14:30
Messi është shpallur fitues i çmimit prestigjioz 'Princesa de Asturias'

Ylli argjentinas Lionel Messi është shpallur fitues i çmimit prestigjioz “Princesa de Asturias” për Sportin për vitin 2026, një nga vlerësimet më të rëndësishme në botën e sportit.

Ai e pason legjendën e tenisit, Serena Williams, e cila ishte laureatja e vitit 2025.

Juria e çmimit e zgjodhi Messin mes 27 kandidaturave nga 12 vende të ndryshme, duke e vlerësuar jo vetëm karrierën e tij të jashtëzakonshme sportive, por edhe angazhimin e vazhdueshëm në projekte humanitare që e mbështesin arsimin dhe shëndetin e fëmijëve në nevojë.

Në arsyetimin e saj, juria e theksoi talentin e jashtëzakonshëm të futbollistit argjentinas, përkushtimin ndaj lojës kolektive, si dhe sjelljen shembullore brenda dhe jashtë fushës.

Messi, aktualisht pjesë e Inter Miamit, e ka ndërtuar pjesën më të madhe të karrierës së tij te Barcelona, ku fitoi dhjetë tituj kampionë në Spanjë dhe katër trofe të Ligës së Kampionëve.

Ai ka luajtur gjithashtu për Paris Saint-Germain, ndërsa me Argjentinën e arriti kulmin me fitimin e Botërorit 2022.

Tetë herë fituesi i Topit të Artë do ta marrë çmimin në muajin tetor në Oviedo, në një ceremoni ku tradicionalisht merr pjesë familja mbretërore spanjolle.

Përveç prestigjit të madh, çmimi e përfshin edhe një shpërblim financiar prej 50 mijë eurosh.

Ky vlerësim e vendos Messin në listën e sportistëve më të shquar që e kanë marrë çmimin “Princesa de Asturias”, duke e shtuar një tjetër trofe prestigjioz në karrierën e tij të jashtëzakonshme. 

(Kosova Sot Online)