Nga Adelina Ismaili te Motrat Bushi, këngëtarët që u kënduan me pasion politikanëve

  • 24 September 2019 - 15:30
Nga Adelina Ismaili te Motrat Bushi, këngëtarët që u kënduan me pasion politikanëve

Jemi në kohë fushate dhe këtë herë përfshirja e artistëve në politikë dhe në fushata partiake duket se është më e madhe se asnjëherë .

Artistët këtë vit kanë vendosur që me të madhe të bëhen pjesë e partive politike në Kosovë.

Dhe ata po hyjnë në politikë jo vetëm si mbështetës, por edhe si anëtarë të këtyre partive, duke munduar të japin kontributin jo veç përmes muzikës e artit.

Por, ky vit nuk është hera e parë që ata janë përfshirë në përkrahje ose në politikë në përgjithësi.

Gjatë kohës kemi parë artistët të kontribuojnë në fushata politike për zgjedhje apo thjesht t’i japin përkrahje ndonjë personaliteti politik.

Ushtrinë time do ta bëj me Ibrahim Rugovën – Adelina Ismaili

Këngëtarja Adelina Ismaili ka qenë ajo e cila që në fillim të karrierës së saj ka dhënë përkrahjen për Ibrahim Rugovën, ish-liderin e LDK-së.

Adelina në një mënyrë përkrahjen e saj e dha edhe me këngë, duke realizuar këngën e famshme “Ushtrinë time do ta bëj”.

Këngëtarja ende është përkrahëse e Lëvizjes Demokratike të Kosovës, e megjithëse nuk është e përfshirë politikisht, ajo shfaqë përkrahjen kur mendon se duhet, e për këto zgjedhje Adelina po pëkrahë fanatikisht kandidaten për kryeministre të kësaj partie, Vjosa Osmanin.

Krejt e dinë – Genta dhe Geti për Ramush Haradinajn

Genta Ismajli dhe Getoar Selimi janë bërë bashkë për t’i kënduar Ramush Haradinajt. Në atë kohë ishin ndër artistët më të pëlqyer shqiptarë dhe familja e Haradinajt kanë bërë kërkesën që të jetë pikërisht Genta ajo e cila do t’i këndonte atij bashkë me Getin në kohën kur ai po gjykohej në Hagë.

Kënga ka qenë një hit shum i madh!

Prishtina – Aurora ft. Ismet Beqiri

Me siguri se ju kujtohet kënga ‘Tirona’ nga West Side Family. Grupi shqiptar kishin bashkëpunuar me Edi Ramën, atëherë kryetar i Bashkisë së Tiranës për të bërë një këngë e cila u përdor edhe për fushatë zgjedhore.

E një gjë të tillë kanë tentuar të bëjnë edhe grupi Aurora, në kohën kur Ismet Beqiri i LDK-së ishte kryetar i Prishtinës. Ata kanë ftuar Beqirin si pjesë e këngës, ose Beqiri i ka ftuar ata që të bëjnë këngë për të, nuk dihet, por ajo që dihet është se kënga ‘Prishtina’ ka dalë të jetë një kopje shumë e dobët, e madje si parodi, e këngës ‘Tirona’.

Motrat Bushi – Këngë kushtuar Dr. Palit

Një këngë që me siguri se as nuk është nisur si një këngë serioze, është ajo e Motrave Bushi, kushtuar Pal Lekajt. Kjo këngë është realizuar për të përkrahur Pal Lekajn e AAK-së për kryetar të Gjakovës dhe ka pasur reagime të shumta nga dëgjuesit, kryesisht duke e përqeshur. Shakatë me këtë këngë po vazhdojnë akoma.

(Kosova Sot Online)