Kylie Minogue po vjen me këngën e re 'Magic'

  • A.P /
  • 23 September 2020 - 17:41
Kylie Minogue po vjen me këngën e re 'Magic'

Pop ylli i njohur australian, Kylie Minogue, ka bërë të ditur se të enjten më 24 shtator do ta publikojë videoprojektin e ri muzikor me titull, “Magic”. Kënga është pjesë e albumit të ardhshëm të këngëtares, “Disco”, dhe vjen një muaj pasi Minogue e lansoi këngën e parë të këtij incizimi, “Say Something”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ylli australian i muzikës ka deklaruar: “Jam shumë e emocionuar. Më në fund mund ta paralajmëroj lansimin e këngës sime të re të titulluar #MAGIC, e cila vjen këtë të enjte!”

Albumi “Disco” lansohet më 6 nëntor të këtij viti dhe e rikthen këngëtaren në rrënjët e para të karrierës. Ky incizim vjen pas albumit të saj të fundit të lansuar në vitin 2018, “Golden”.

Sipas një burimi të afërt, bëhet e ditur se Kylie ka punuar intensivisht në muzikën e saj të re, dhe këta muajt e fundit gjithçka është finalizuar me sukses. Për realizimin e “Disco” ajo ka punuar me producentin e njohur, Mousse T, DJ italian Alex Gaudino dhe producentin francez të këngëtares Madonna, Mirwais.

Në muajin maj, ylli i hitit “In Your Eyes” e kishte bërë të ditur lajmin se albumi i saj i shumëpritur, do të përfshinte këngë të zhanrit ‘disco’.

Së fundmi ky zhanër është rikthyer në skenën botërore muzikore, falë edhe albumeve të artisteve të reja si, Dua Lipa dhe Doja Cat.

Image


(Kosova Sot Online)