“Ishte vendimi më i vështirë”, Jonida Maliqi flet për divorcin: E cilësoj si dështim të timin

  • E. /
  • 29 November 2020 - 20:21
“Ishte vendimi më i vështirë”, Jonida Maliqi flet për divorcin: E cilësoj si dështim të timin

3 vite më parë Jonida Maliqi i dha fund zyrtarisht martesës së saj me Gent Prizrenin. Këngëtarja nuk ka preferuar kurrë të flasë për këtë pjesë të jetës së saj dhe gjithçka e ka kaluar në heshtje në publik. Ndërkohë ditën e sotme në rubrikën “Tani mund të këndosh”, në një inetrvistë përballë Ardit Gjebreas, Jonida nuk ka mundur t’ju shpëtojë disa pyetjeve për divorcin.

Jonida rrëfeu se me ish-bashkëshortin është dashuruar në moshën 17-vjeçare dhe po aq vite qëndroi e lidhur me të. Këngëtarja tregoi se ajo ishte dashuria e saj e parë, sublime dhe në atë moshë që është dashuruar nuk mund të vinte logjikën mbi ndjenjat.

Ajo u shpreh se divorci erdhi si pasojë e konsumimit të marrëdhënies dhe disa arsyeve të tjera personale, që nuk preferoi t’i tregonte. Jonida tha se ishte ajo e para që e mori vendimin për t’u divorcuar dhe e cilësoi si një ndër më të vështirët të jetës.

“Divorci erdhi si pasojë e konsumit dhe disa arsyeve të tjera që do të doja të ishin personale. Ishte ndër vendimet më të vështira të jetës sime. Ishte vendim i imi fillimisht, pastaj rrugëtuam të dy, përderisa dy njerëz nuk komunikojnë më, nuk gjejnë më gjuhën e përbashkët. Unë jam rritur në një familje të shëndetshme, me frymën se do kisha familjen ideale dhe ishte ëndrra ime që këtë gjë ta realizoja me sukses dhe unë divorcin e cilësoj si dështim të timin”, tha Maliqi.

Jonida u shpreh se sigurisht që kjo gjë është shoqëruar me vështirësi për sa i përket anës ekonomike, sepse kishte një standard të lartë jetese, por shtoi se ia ka dalë mbanë mjaft mirë edhe e vetme, sepse nuk i ka munguar kurrë forca për të punuar. Këngëtarja shtoi se ajo ka punuar shumë fortë edhe me anën e saj psikologjike, sepse është mjaft e vështirë të marrësh një inciativë të tillë pas shumë vitesh lidhje e martesë.

Ndërsa për sa i përket lidhjes së re në jetën e saj, ajo u shpreh se nuk dëshiron të nxitohet, nuk dëshiron të lëndojë askënd, sepse nuk është më ajo vajza 17-vjeçare që mund të gabojë. Kujtojmë se Maliqi prej pak kohësh po jeton një histori të bukur dashurie me Romeo Veshaj dhe raportin vendosën ta bënin vetë publik pas shumë thashethemesh.

(Kosova Sot Online)